Qazim Rrahmani ka dorëzuar dorëheqjen e tij nga Partia e Ashkalinjve për Integrim (PAI) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj partie dhe ish-kryetari i degës në Ferizaj ka deklaruar se ashkalinjtë në Kosovë nuk kanë lider e as përfaqësues politik për të adresuar mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Sot në KQZ dorëzuam edhe në mënyrë fizike dhe zyrtare, dorëheqjet tona. Po ashtu, dorëheqjeve tona iu bashkua edhe dega e komunës së Gjakovës. Si dy degqt me te mëdha. Po ashtu, ditëve ne vijim do të jenë edhe degët tjera të cilat janë larguar. Po e njoftojmë opinionin publik se PAI momentalisht gjendet pa asnjë kryetar dege dhe të gjithë kryetarëve ju ka dalë afati dhe në mënyrë statutore asnjë kuvend i PAI-së nuk është mbajtur në kuvend dege”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, Rrahmani ka thënë se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore të partisë edhe për mbajtjen e kuvendeve. Ai ka theksuar se partia ku deri më tani ka qenë sekretar i përgjithshëm, është jo legjitime.
“PAI shkon në pezullim, kjo i bie që kryetari Etem Arifi e ka sjellë në këtë gjendje PAI-në. Ju e dini që ky person e ka sjell në këtë gjendje edhe shtetin e Kosovës të shkojë në zgjedhje për fajet e tij, për fshehtësitë e tij, për manipulimet e tij me ashkalinjtë. Nuk e meritojmë që një njeri të bëhet shkak i manipulimeve të tij dhe ashkalinjtë të gjenden në një gjendje jo të mirë”, ka thënë ai.
Rrahmani deklaroi se do të vazhdojë rrugëtimin politik për bashkimin e ashkalinjve dhe unifikimin e tyre.