Punëtorët e sigurimit fizik dhe teknik, të cilët kryejnë shërbime në institucionet shëndetësore publike në nivel vendi, kanë protestuar para drejtorive të spitaleve, QMF, dhe Ambulancave ku ata kryejnë shërbime, në shenjë pakënaqësie për mos përfshirjen e tyre në vendimin qeveritar për pagesë shtesë prej 10% të pagës bazë.
Të njëjtit punëtorë protestuan para Administratës Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.
Azemi deklaroi se qeveria nuk ka tjetër alternativë përpos të paguajë edhe këta punëtorë me pagesë shtesë. Ai paralajmëroi se do të radikalizojnë masat e protestës në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre.
Ai shtoi se punëtorët e sigurimit fizik dhe teknik janë pjesë e stafit mbështetës edhe me ligj.
“Kjo qeveri, jo për hir tonin, por për hir të ligjit nuk ka qare pa i paguar këta punëtorë sepse përndryshe për një kohë shumë të shkurtër do të shohim masat dhe do t’i radikalizojmë. Këto janë disa vendime që Gjykata Themelore e Prishtinës ka nisur procedura, dhe sipas fjalëve që ata thonë, kjo është një çështje e kryer, pasi që ne kemi arritur që edhe ne Qeverinë e Kosovës ta marrim një dokument i cili definitivisht thotë punëtorët mbështetës janë punëtorët e sigurimit dhe punëtorët teknik, andaj ne jemi komod faktikisht na kanë nxjerrë të dalim në këto temperature të mëdha por megjithatë ne do ta respektojmë vijën hierarkinë, do të protestojmë do të tërheqim vërejtjen dh enë ditët në vijim do të shohim si po shkojnë çështja”, tha ai.
Azemi tha se në vend se Kurti të dalë në aeroport dhe të presë mërgimtarët, është më mirë të vizitojë punëtorët e sigurimit fizik dhe teknik.
“Andaj ju lutem z. kryeministër ne kemi nevojë që këta punëtorë të vizitohen të shihen se si i kanë çështjet, respekt çdo mërgimtarëve që vijnë por ata vijnë me xhepat plotë dhe ardhshin gjithherë shëndet dhe i pritshin mirë shtëpitë e tyre por megjithatë ne jemi të rrasur në kredi deri në fyt dhe nuk mund të qëndrojmë, më e arsyeshme është që ai të vijë të bisedojë me këta se sa me ata”, shtoi ai.
Ndërkaq nënkryetari i Sindikatës së punëtorëve shëndetësorë të QKUK-së, Enlirat Duraku, tha se puna e këtij stafi është thelbësore për Qendrën Klinike Universitare.
“Para se të hyjë infermieri apo mjeku në dhomë të pacientit fillimisht hyjnë këta pa e anashkaluar punën e sigurimit fizik të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm sidomos në hyrje dhe dalje të klinikave ku sidomos edhe tani është frekuentimi më i madh me pacientë të infektuar me COVID-19”, tha ai.
Protesta ka përfunduar e qetë ndërsa u tha se do të mbetet për t’u reagimi qeveritar për të kuptuar se cilat do të jenë hapa e ardhshëm që do të ndjekin.