Organizata “Çohu” publikoi raportin e monitorimit të mediave online për periudhën janar 2020-dhjetor 2021, ku monitoruesit e mediave online kane evidentuar 145 shkelje eventuale të Kodit të Mediave të Shkruara e që të njëjta janë dërguar në KMShK për trajtim, ku kjo e fundit ka miratuar 88 prej tyre, 52 i ka hedhur poshtë ndërsa për pesë të tjera “Çohu” nuk kishte marrë përgjigje deri në përpilimin e raportit.
Cak i monitorimit kanë qenë 24 media, prej të cilave dy rajonale, njëra në gjuhën serbe. Përzgjedhja e tyre ishte bërë duke u nisur nga fakti se janë anëtare të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe pasi klikohen më shumë.
Ankesat e dërguara janë ndarë sipas kapitujve, ku për privatësinë ka pasur më së shumti ankesa, pastaj për vërtetësinë, për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve, të drejtat e autorit si dhe reklamat dhe sponsorizimet.
Drejtori i kësaj organizate, Arton Demhasaj, duke folur për qëllimin e projektit, deklaroi se i njëjti ka pasur ndikim tek mediat që janë treguar më të kujdesshme kur kanë kuptuar se janë duke u monitoruar.
“Qëllimi i këtij projekti ka qenë një lloj edukimi i mediave, pra që ta respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara që vetë e kanë hartuar atë kod. Ky projekt ka katër vite që është duke vazhduar, këto dy vitet e fundit ka qenë projekt që është mbështet nga Bashkimi Evropian, ku ne me 12 monitorues që i kemi pas, kemi vazhduar dhe i kemi monitoruar të gjithë mediat që janë pjesë, anëtarë e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), kemi dërguar ankesa dhe kemi pasur njësi se a po shkon respektimi i Kodit të Mediave të Shkruara. Mund të themi se në përgjithësi ka pasur sukses ky projekt për arsye sepse në fillim të monitorimit të mediave kemi parë që ka pasur shumë shkelje dhe me kohën kur e kanë kuptuar që po monitorohen kanë filluar të jenë më të kujdesshëm dhe muajve të fundit kemi parë që ka pasur më pak shkelje ose edhe shkeljet kanë qenë shumë më të lehta dhe ndoshta të paqëllimshme. Por mund të them që ky projekt ka pasur një ndikim të madh që gazetarët apo mediat të jenë më të kujdesshëm në shkrimet që ata i bëjnë”, thotë ai.
Vlora Krasniqi nga organizata “Çohu” tregoi se cilët janë kapitujt ku janë vërejtur shkelje më të mëdha.
“Gjatë këtij monitorimi dyvjeçar që është bërë nga organizata jonë ka pasur shkelje të shumta, prej tyre kemi dërguar shkresa, një numër të konsiderueshëm ku arrijnë mbi 145 ankesa për dy vite, prej këtyre 145 ankesave kemi pranuar 140 vendime nga KMSHK-ja, prej tyre 88 kanë qenë ankesa pozitive të miratuara, 52 kanë qenë jo të miratuara dhe për 5 ankesa nuk kemi pranuar akoma vendime deri në momentin kur kemi qenë duke e përpiluar raportin final të projektit. […] Kapitulli i dytë (Raportimi i së vërtetës) me 30 ankesa ku 13 prej tyre janë të miratuara, kapitulli i gjashtë është mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve ku prej 11 ankesave janë të miratuara 7, kapitulli i shtatë është privatësia ku ka 36 ankesa ku prej tyre 26 janë të miratuara, kapitulli i 11 të drejtat e autorit 8 prej tyre janë të miratuara, dhe kapitulli i 12 përbën reklama dhe sponsrizim janë 31 kërkesa të dërguara dhe 25 të miratuara”, tha ajo.
Rekomandimet e këtij projekti janë që të rriten kapacitetet e KMShK-së për monitorimin e mediave të shkruara online sipas detyre. Pastaj që KMShK duhet të bëjë fushata vetëdijësuese në mënyrë që qytetarët të dinë se aty mund t’i dërgojnë ankesat e tyre lidhur me raportimet e shkruara mediale.
Po ashtu, rekomandohet që vendimet e KMShK-së të publikohen tek të gjitha mediat anëtare të saj, si dhe KMShK të mbajë më shumë trajnime me redaktorë dhe gazetarë lidhur me respektimin e Kodit të Mediave të Shkruara.
Drejtori i KMShK-së, Imer Mushkolaj, tha se kanë pasur fushata vetëdijësuese ndërsa ka qenë i befasuar për të keq edhe me zyrtarët shtetërorë të cilët nuk e kanë ditur se çfarë procedurash duhet të ndjekin ndaj një shkrimi.
“Sa i përket fushatave vetëdijesuese ne jemi përpjekur në kuadër të projekteve të ndryshme, shembull, në dy muajt e kaluar kemi pas një fushatë vetdijësuese, ku fokusi kanë qenë zyrtarët e Kuvendit dhe të Qeverisë, unë jam i zhgënjyer me njohuritë e pakta që i kanë për mënyrën se si duhet të veprojnë kur një media raporton diçka për ta e kur ata nuk janë të kënaqur, zgjedhin Facebook-un e tyre për të sulmuar, të linçojnë, të fyejnë edhe unë prej niveleve të larta të tregojnë procedurën çfarë bëjnë, nuk e kanë ditur. Dhe për këtë shkak kemi zgjedh në 25 grafika t’ua sqarojmë procedurën dhe mënyrën si duhet të ankohen dhe si merret vendimi, sidomos në raste të privatësisë” , tha ai.
Nga organizata “Çohu” thanë se duke qenë që një numër i lartë i ankesave të tyre janë miratuar, është e domosdoshme që të ketë një vetëdijësim më të madh të mediave për të respektuar etikën e gazetarisë gjatë raportimit.