UBT News

​PS mbledh Kongresin më 29 janar

Kryesia e Partisë Socialiste u mblodh sot në drejtimin e kryetarit Edi Rama për të miratuar projektvendimin për mbledhjen e Kongresit në datën 29 janar.

Në një prononcim për medie pas takimit, Rama tha se “Kongresi i PS-së do të adresojë sfidat e përbashkëta të partisë dhe qeverisë, si shprehje e kësaj partie e kësaj shumice për 4 vitet që vijnë”. Rama tha se “pjesë e diskutimit ishte edhe ripërtëritja e PS-së me të rinj”.

“Në 15 janar kemi një aktivitet të rinisë socialiste dhe progresiste në funksion të një riorganizimi tërësor të gjithë rrjetit rinor të PS dhe përtej saj, një rrjet vullnetarizmi, qytetarie progresive, në funksion të komunitetit, ku ne dëshirojmë të ndërveprojmë më të rinjtë dhe t’u japim mundësinë që të kenë një mbështetje që të kthehen në aktivistë dhe njerëz të interesuar përtej punëve të veta”, tha Rama.

Në këtë mbledhje u paraqit dhe drafti paraprak me propozimet për ndryshime në Statutin e PSSH-së.

Pas diskutimeve të zhvilluara nga anëtarët e Kryesisë dhe propozimeve përkatëse, Grupi i Posaçëm i punës për Statutin do të vazhdojë diskutimin në ditët e ardhshme për të hartuar dokumentin përfundimtar i cili do t’i paraqitet për miratim delegatëve të Kongresit.

Gjatë punimeve të Kongresit, paralelisht do të organizohet votëbesimi nga Asambleja Kombëtare për Sekretariatin Ekzekutiv të partisë.

Në kryesi u diskutua gjithashtu për aktivitetin që do të zhvillohet në 15 Janar në kuadër të 30-vjetorit të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar.

Exit mobile version