Me pankartat “Vlerësim i punës dhe i mundit”, “Të fillojë sa më parë aplikimi i sigurimit shëndetësor”, “Themeloni gjykatën e punës”, kanë protestuar punëtoret e sektorit privat, me shpresën që në këtë ditë të kenë vëmendjen e qeverisë dhe kompanive private që ndikojnë direkt në kushtet e punëtoreve.
Protesta nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, dhe vazhdoi deri para objektit të qeverisë. Aty punëtorët kërkuan trajtim dhe paga të dinjitetshme.
Adem Burovci, aktivist sindikal ka thënë se ka kohë që kërkojnë nga Qeveria të respektojnë të drejtat e tyre, por kjo nuk po ndodhë. Ndërsa ka shtuar se Kosova është shteti i fundit në respektimin e të drejtave të punëtoreve.
“Gjatë gjithë periudhës kemi kërkuar që të respektohemi ashtu si të gjithë punëtorët në botë, por kjo s’po ndodhë. …Sipas një matje që një organizatë botërore e bëri për pozitën e punëtoreve të secilit shtet, Kosova fatkeqësisht doli e fundit me respektimin e të drejtave të punëtoreve”, theksoi Burovci.
Ai shtoi së është lakmia që vetëm pronarët duan të kenë jetë të luksit, e punëtoret të mos kenë të drejtën më elementare të jetës, duke u sjellë ndaj punëtoreve sikur të jenë makina amortizuese.
Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtoreve të Sektorit Privat të Kosovë, Jusuf Azemi, i cili ishte edhe organizator i kësaj proteste, akuzoi Qeverinë Kurti që nuk i ka mbajtur premtimet e dhëna.
“Ajo Qeveri e cila na premtoi që do të sjellë mrekulli, deri më tani fatkeqësisht që realizimet e premtimeve dhe obligimeve nuk bëri asgjë… Kryeministër dhe pronarë të kompanive na keni njollosur, baltosur dhe rrezuar përtoke, por megjithatë po vinë ditë të mira për neve, pasi që ju do të keni nevojë për ne, nevoja e juaj do të jetë më e madhe se e jona. Kryeministër dhe Qeveri e Kosovës, keni ardhë në një moment kur tani po paguani punëtorë rezervë sepse çdo ditë po mbetemi pa punëtorë, çdo ditë nga Kosova po aplikojnë në ambasada të huaja rreth dy mijë persona sepse nuk iu krijuam kushte për punë dhe ata nuk mund të qëndrojnë më”, vijoi Azemi.
Sipas tij, nuk mund të kontrollohen 60 mijë kompani private me 23 inspektorë. Kjo theksoi se ka bërë që punëtorët të jenë në mëshirën e pronareve të kompanive.
Po ashtu, ai ka thënë se pritjet ishin më të mëdha nga kjo Qeveri por që tani ndihen të zhgënjyer, teksa ka kërkuar që të marrin për bazë kërkesat e tyre. Azemi ka shtuar se paga prej 250 euro ka marrë fund.
“Kemi prit shumë nga ju kryeministër sepse keni premtuar shumë, por jemi shumë të zhgënjyer me punën që e keni bërë… Në parlamentin e Kosovës ata të cilët dhanë fjalë të mëdha, të cilët na thanë se do të përmirësojnë kushtet sociale, ata po i përmirësojnë kushtet e tyre…Mos bëni hajgare me pagë 250 euro sepse kjo ka marrë fund njëherë e përgjithmonë, çmimin e pagës time nuk e cakton kryeministrit, atë e cakton tregu i punës”, shtoi Azemi.
Kërkesat drejtuar Qeverisë ishin implementimi i ligjeve për punëtoret e sektorit privat të cilat i kanë aprovuar, vlerësimi i punës dhe mundit, nënshkrimi i marrëveshjes kolektive, krijimi i fondit social, themelimi i gjykatës së punës, si dhe fillimi i aplikimit të sigurimit shëndetësor.