Duke filluar nga sot nuk do të ketë transport publik në trafikun urban-periferik dhe ndër urban në gjithë vendin për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve të transportit.
Kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj tregoi të martën për KosovaPress se të mërkurën që në mëngjes do të zbatohet vendimi i Këshillit Drejtues të Shoqatës të Transportit Rrugor të Udhëtarëve për të hyrë në grevë përkatësisht në protestë për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes për mbështetje apo subvencionim të transportit rrugor të udhëtarëve me autobus.
Sipas tij, Qeveria në detyrë ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i realizuar kërkesat e transportuesve publik, dhe për këtë siç thekson ai deri tash kjo e fundit nuk ka reflektuar. Teksa shton se nuk ka asnjë dyshim që do të mbahet sot protestë.
Kurtishaj theksoi se ky sektor ka pasur humbjet më të mëdha në aspektin ekonomik për shkak të vendimeve të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19. Ai po ashtu thekson se protesta do të nisë nëpër stacione të autobusëve, derisa të përmbushen kërkesat e premtuara nga Qeveria.
Kjo shoqatë pret që të gjithë operatorët e transportuesit publik sot do të marrin pjesë në protestë.