Presidenti indonezian, Joko Widodo të mërkurën kërkoi falje publike në nivel shtetëror për “shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut” që kanë ndodhur në vendin e Azisë Juglindore.
“Me një mendje dhe ndërgjegje të pastër, të vërtetë, unë si kreu i shtetit pranoj se ka pasur shkelje të rënda të të drejtave të njeriut që kanë ndodhur në shumë ngjarje”, tha Widodo.
“Dhe më vjen shumë keq që ato shkelje ndodhën”, tha ai në një fjalim, të transmetuar në internet, në Pallatin e Shtetit në kryeqytetin Xhakarta.
“Kam simpatinë dhe ndjeshmërinë për viktimat dhe familjet e tyre”, deklaroi ai tutje.
Duke iu referuar rreth 12 incidenteve midis viteve 1965 dhe 2003, duke përfshirë dhunën antikomuniste në vitet 1960 dhe zhdukjen e demonstruesve studentë në fund të viteve 1990, Widodo tha: “Qeveria do të kërkonte të rivendoste të drejtat e viktimave në mënyrë të drejtë dhe me mençuri, pa mohuar zgjidhjen gjyqësore”.
Kombi më i madh në botë i populluar nga myslimanët kishte parë goditje të dhunshme, arrestime dhe vrasje në vitin 1965 pasi gjenerali i atëhershëm Suharto dhe ushtria filluan një grusht shteti dhe morën vendin.
Më vonë, në vitin 1998, kur demonstratat masive rrëzuan diktaturën tre dekadash të Suhartos, shumë studentë u rrëmbyen dhe u vranë.
Vlerësime të pakonfirmuara thonë se të paktën 500 mijë njerëz u vranë në dhunën e viteve 1960.
Widodo gjithashtu pranoi abuzimet e të drejtave në provincën më lindore të Papua-s./AA