Kuvendi i Kosovës e ka shqyrtuar dhe miratuar në parim Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se kjo marrëveshje bashkëfinancimi ka për qëllim përcaktimin e procedurave dhe ndarjen e kostove ndërmjet dy vendeve.
“Është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe social të dyja vendet, është shumë i rëndësishëm realizmi i kësaj linje hekurudhore e cila pothuajse në të gjitha qeveritë e mëhershme ka qenë diskutim në cilëndo mbledhje e takim në mes të dyja qeverive. Aktualisht jemi në një fazë që mund të realizojmë edhe projektin dhe të hapim përpara mundësinë e krijimit të kësaj lidhje e cila pastaj do të mund të shoqërohej me shumë projekte të tjera që do të mundësonin qarkullimin e mallrave nga Porti i Durrësit në gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor e që Prishtina do të ishte qendra kryesore shpërndarëse e këtyre mallrave”, ka thënë Aliu.
Lidhur me mbulimin e kostos, Aliu ka thënë se Shqipëria do të ndajë 1 milion euro ndërsa Kosova 980 mijë euro.
“Kosto totale për realizimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore parashihet të jetë rreth 1 milion e 980 mijë euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë do të ndajë shumën prej 1 milion euro që i bie rreth 51% të kostos totale ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës do të ndajë shumën prej 980 mijë euro apo 49% të kostos totale. Kjo kosto është planifikuar në buxhetin e vitit 2022 të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe infrastrukturës me autorizim të Qeverisë dhe do të bartën në ministrinë e Shqipërisë për tu përdorur si bashkëfinancim në realizmin e këtij projekti”, tha ai.
Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se pajtohen me marrëveshjen por ka kërkuar më shumë sqarime.
“Tek bashkëfinancimi i projekt idesë, normalisht duke pasur parasysh gjatësinë, vështirësinë, relievin, terrenin ku ka me u ndërtu, pjesëmarrja e Kosovës do të duhej të ishte shumë më e vogël sepse kosto e studimit të fizibilitetit për Kosovën është shumë më e vogël. Ky është problemi i parë që shohim, pastaj kjo do të duhej të shihet si ka me reflektu në kostot e realizmit të këtij projekti. Problemi i dytë është tek transferimi i buxhetit nga buxheti i Kosovës në realizimin e projektit nga pala shqiptare, qysh përfaqësohet Kosova aty”, ka thënë Gashi.
Mbështetje për marrëveshjen ka dhënë edhe Partia Demokratike e Kosovës.
“Projekt infrastrukturor madhor i cili nuk është i pari fatmirësisht, projekte të tilla infrastrukturore pati nisur Qeveria Thaçi kur bëri korridorin nacional të cilit tashmë po i gëzohemi të gjithë, korridorin rrugor ‘Rrugën e kombit’, e fatkeqësisht atëherë e patëm denigruar, sharë, fyer e linçuar shpeshherë padrejtësisht deri në teori të konspiracionit… Do të ju mbështesim por mos harroni që nuk është projekt i parë siç thanë parafolësit, por është projekt i dytë infrastrukturor pas Rrugës së kombit dhe sa do të jetë i arsyeshëm i nevojshëm sigurisht që ne po e presim studimin të cilit po ja japim dritën jeshile sot”, ka thënë deputeti Ferat Shala.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se e japin mbështetjen për çështjet që janë në interes nacional.
“Kërkoj nga kryeministri Kurti i cili në çështjet që lidhen me një konsensus pak më të madh, në këtë rast ky është në interes të kombit shqiptar, po në çështjet që i ka agjenda qeveritare vazhdon të ketë avazin e vet, mendjen e vet dhe të mos reflektojë në asnjë kërkesë të opozitës. Ky projekt nuk është projekt që ne si subjekt politik do të kushtëzojmë apo kërkojmë diçka, mirëpo një reflektim i thellë i mendësisë dhe qasjes së kësaj qeverie, qasjes shumë arrogante duhet të reflektojë seriozisht sepse dëmet mund të jenë edhe më të mëdha, mund të vinë tema më të mëdha të cilat ne duhet t’u mbajmë përgjegjës”, ka thënë Tahiri.
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë ka marrë 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.