Një ortek bore ka rënë sot në qendrën e skijimit në Brezovicë. E nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se nga orteku i borës nuk ka të lënduar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli tha se në orën 13:10 Policia e Kosovës ka pranuar një informatë për rënien e ortekut dhe menjëherë ekipet kanë shkuar në vendngjarje. Veseli tha se njësitë e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë kanë dalë në terren.
“Jo nuk ka të lënduar nga dëshmitarët që kanë qenë prezent. Në 13:10, Policia e ka pranuar informacionin, ekipet e Policisë janë atje, janë njoftuar edhe ekipet e FSK-së, kështu pothuajse 100 % janë hequr dilemat se nuk ka të lënduar… Do t’i shtjerrim të gjitha kërkimet, mirëpo sipas informacioneve kur ka rënë orteku sipas dëshmitarëve që kanë qenë përreth aty nuk ka pasur persona, nuk është dëmtuar as lënduar askush edhe pse kërkimi i FKS-së do i shtjerrë edhe dilemat e fundit, por sipas të gjitha gjasave nuk ka të lënduar”, tha ai.
Ditë më parë ekipet e kërkim-shpëtimit kishin paralajmëruar se mund të ketë lëshim të ortekëve për shkak të reshjeve të borës të përcjella me erëra të forta.