UBT News

​Policia e Kosovës në bashkëpunim me policët e Italisë luftojnë krimin e organizuar në vend

Në ambasadën Italiane u mbajt konferencë rreth iniciativës globale mbi krimin e organizuar. U diskutua rreth bashkëpunimit të policisë së Kosovës dhe asaj të Italisë për situatat aktuale të drogave. U tha se po ballafaqohen me sfida të mëdha të zvogëlimit dhe parandalimit të kësaj dukurie dhe kapjen e personave që bëjnë gjëra të jashtëligjshme duke prodhuar kështu qëndrueshmëri shoqërore që ju reziston fenomeneve të tilla.

Ministri i punëve të brendshme Xhelal Svecla tha se është një fenomen dhe janë duke punuar në ndalimin e kësaj dukurie që të kapen ata që merren me krim të organizuar dhe ata që përdorin lëndë narkotike. Gjithashtu ai tha se nuk ka kompromis me jetën e qytetarëve dhe do të angazhohen për mirëqenien dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve.

“Kultivimi, posedimi, shitja dhe përdorimi i substancave narkotike nuk mund të gjykohet vetëm si ndeshje me ligjet e Republikës së Kosovës por është fenomen që cënon drejtpërdrejtë jetën e përdoruesve të rëndomtë dhe atyre që jetojnë për rreth tyre dhe me ta. Si Ministri e Punëve të Brendshme në tërësi por edhe me agjencitë ekzekutive në veçanti jemi të angazhuar maksimalisht që me të gjitha kapacitetet tona të punojmë në zvogëlimin e kësaj dukurie si dhe në kapjen e të gjithë atyre që kultivojnë dhe shpërndajnë cilindo lloj të substancave narkotike. Në këtë drejtim pa dyshim duhet angazhim ndërinstitucional multidiciplinor i gjithë shoqërisë, të gjithë duhet të angazhohemi në parandalim e duke aktivizuar mekanizmat tanë që të sigurojmë mirëqenie, edukim, angazhim dhe punësim, duke prodhuar kështu qëndrueshmëri shoqërore që ju reziston fenomeneve të tilla. Sot ballafaqohemi me kategori të caktuara si përdorues i substancave narkotike si fëmijë nën moshën 18 vjeçar, fëmijë të komuniteteve që në raste të caktuara përfundojnë edhe viktima të trafikimit përdoruesit në shumicën e rasteve përfundojnë në ushtrues të dhunës fizike e psikike, kryes të veprave të ndryshme penale dhe kemi raste me fatalitete të përdoruesve të drogave të ndryshme”, tha ai.

Ndërkaq ai foli edhe për hartimin e strategjisë katër vjeçar kundër narkotikëve. Ndërsa me mandatin e marruar kanë realizuar operacione të mëdha të kapjes 1.7 ton lëndëve narkotike. Pjesa veriore e vendit është më e prekura nga kjo dukuri që sipas Sveçlës janë të ndihmuar nga grupet kriminale dhe Beogradi.

“Ministria e Punëve të Brendshme është në finalizim të raportit të zbatueshmërisë së strategjisë kundër narkotikëve 2018-2022 dhe me hartimin e strategjisë për katër vitet e ardhshme do të angazhohemi maksimalisht të përfshijmë të gjithë akterët institucional e bashkëpunëtorë që të angazhohemi aktivisht në këtë drejtim. Do të nxjerrim mësime e rezultate më të mira nga strategjia e kaluar për të prodhuar kështu dokument të detajuar dhe të zbatueshëm pa asnjë pengesë për të gjitha institucionet… Ne i qëndrojmë zotimeve tona që nuk bëjmë asnjë kompromis për asnjë çmim ndaj çfarëdo dukurie që cënon jetën e qytetarëve tanë dhe këtë po e dëshmojnë në punën tonë të përditshme. Dy muaj pasi morëm mandatin tonë në bashkëpunim me Italinë, Shqipërinë dhe DA realizuam me sukses operacionin më të madh në historinë tonë kapjen e 400 kg kokainë që vinte nga Brazili i destinuar për shpërndarje në tregje më të mëdha se Republika e Kosovës…. Pas më shumë se një vit e gjysëm janë sekuestruar mbi 1.7 ton substanca narkotike të llojeve të ndryshme si: marihuanë 1064 kg, kokainë 420kg, heroinë 240 kg dhe mbi 27 mijë bimë kanabisi. Dukuria e kultivimit dhe shpërndarjes, shpërndahen në masë të madhe në veriun e vendit tonë, ajo zonë ka qenë deri vonë imune ndaj çdo ligji të Republikës së Kosovës duke pas parasysh që është izoluar dhe mirëmbajtur nga grupet kriminale e të ndihmuara nga Beogradi. Me aktivitetet tona në atë zonë ka rezultuar me shkatërrimin e 5 laboratorëve të drogës në të cilat ka pasur dhjetëra miliona investime”, tha ai.

Kurse ambasadori i Italisë Antonello De Rio tha se krimi i organizuar shqiptar kontrollon disa tregje dhe për t’iu kundërvënë kësaj dukurie në nëntor të vitit 2020 Italia ka bërë bashkëpunim me policët e Kosovës. Në fund ai kërkon që të parandalohet sa më shpejtë krimi i organizuar dhe ndalimi i trafikimit të lëndëve narkotike.

Në fund foli drejtoresha e Observatorit të Evropës Juglindore Fatjona Mejdini e cila u shpreh se në Kosovë krimi i organizuar nuk ka qenë temë qendrore sepse ka pasur sfida të tjera gjatë viteve të kaluara por ajo theksoi se po rrezikohet të preket nga krimi i organizuar sepse krimi ndikon thellë duke shkatërruar jetën e të rinjve.

Exit mobile version