Policia e Kosovës, referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 28.10.2022, i cili ka të bëjë me procesin e regjistrimit të mjeteve nga targa PR,KM, PZ, GL, UR, PE,DA apo ĐA në targa RKS, ka bërë të gjitha planifikimet e saj me qëllim të zbatimit të këtij vendimi.
Sipas vendimit zyrtar nga data 1 nëntor 2022, të gjithë pronarëve të mjeteve që qarkullojnë me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës do t’iu shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.
Ndërsa nga data 21 nëntor deri me 21 janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi.
Policia e Kosovës ka publikuar edhe formën e fletë-qortimit zyrtar “Qortim”, e cila do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar.