Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën, kanë identifikuar substancë narkotike, e dyshuar si kokainë, në sasi prej tetë gramë. Rasti ka ndodhur në pikëkalimin kufitar në Vërmicë derisa kanë ndaluar një veturë me targa të huaja.
Policia ka bërë të ditur se ngasësi i mjetit ka pranuar se sasia e substancës së dyshuar i përket atij dhe se e njëjta është bërë në Shqipëri.
“Gjatë kontrollit të mjetit të lartcekur në një kuti çamçakëzi brenda një çante është gjetur një qese me pluhur të bardhë, substancë e dyshuar e llojit kokainë, në sasi prej rreth 8 (tetë) gramësh. Lidhur me rastin drejtuesi i mjetit i dyshuari Y. M. (viti i lindjes 2005) dhe pasagjerët me iniciale A. A. (viti i lindjes 2000), N. A. (viti i lindjes 1999) dhe E. O. (viti i lindjes 1999) që të gjithë shtetas të huaj, janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së për intervistim, ku gjatë intervistimit nën prezencë të avokatit sipas detyrës zyrtare, i dyshuari me iniciale Y. M. ka pranuar se sasia e substancës së dyshuar i përket atij dhe se e njëjta është blerë në Republikën e Shqipërisë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’, ndërsa pasaporta e tij është sekuestruar për procedura të mëtejme hetimore.