UBT News

​“Po dëmtohen nxënësit”, reagime të shumta pas thirrjes së SBAShK-ut për të mos mbajtur mësim

Për shkak të thirrjes nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), në shumicën prej shkollave të Kosovës nuk është duke u mbajtur mësimi. Këtë e ka bërë të ditur edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj,

Jasharaj në një përgjigje për KosovaPress ka deklaruar se në fund të ditës do t’i bëjnë të ditur emrat e shkollave të cilat kanë refuzuar që t’i bashkohen thirrjes për të mos mbajtur mësim, siç kishte ndodhur edhe me grevën njëorëshe javën e kaluar.

“Kryetaret janë duke u përgatitur që te vijnë në Prishtinë në mënyre të organizuar, po të kishte telashe do të na lajmëronin, pjesa dërrmuese e institucioneve arsimore e ka respektuar vendimin e SBASHK-ut, pjesa absolute në shkollat tona nuk është duke u mbajtur mesmi, por ne do ta kemi më pas një raport, ashtu siç deklaruar për shkollën ‘Iliria’ në grevën njëorëshe, nëse ka shkolla të tilla që nuk do të jenë pjesë e këtij veprimi sindikal nuk do t’i fshehim”, ka thënë ai.

KosovaPress qëndroi në shkollat fillore “Naim Frashëri” dhe “Faik Konica”, në Prishtinë dhe aty mësimi nuk ishte duke u mbajtur fare. Thirrja për ndërprerje të mësimit po respektohej nga i gjithë personeli shkollor, pasi asnjë nga arsimtarët nuk ishin prezent.

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar për mos zhvillimin e mësimit sot në institucionet arsimore publike ku e vlerëson se vonesa në miratimin e Ligjit të Pagave dhe mos zhvillimi të dialogut social Qeveri-Sindikata është duke nxitur reagimi edhe tek të punësuarit në sektorin e arsimit, qoftë përmes protestave e grevave, të drejta këto që u janë garantuar me ligj. Ata shtuan se e vetmja palë e dëmtuar në këtë proces janë fëmijët dhe vetë prindërit.

“Ne si prindër, bashkë me fëmijët tanë, jemi pala e vetme e dëmtuar në këtë proces dhe pa mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat tona kushtetuese. Ne vazhdojmë ta paguajmë faturën e mos veprimeve, nganjëherë edhe inateve, në mes të punëdhënësit, në këtë rast Qeverisë së Kosovës, dhe punëmarrësve, në këtë rast mësimdhënësve në sektorin e arsimit publik”, thuhet në reagim.

Edhe koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 34 organizata joqeveritare ka shprehur shqetësimin për ndërprerjen e mësimit në tërë sistemin arsimor në Kosovë.

“KOMF e njeh të drejtën e protestës dhe grevës si të drejta të garantuara me legjislacion, por konsideron se ndërprerjet e vazhdueshme të procesit arsimor kanë dëmtuar dhe po dëmtojnë procesin e rregullt mësimor dhe mësim-nxënien e fëmijëve. Vonesat në procesin e të nxënit dhe edukimit të fëmijëve do të lënë pasoja domethënëse në zhvillimin e tyre”, thuhet në reagimin e tyre.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut thotë se nxënësit nuk duhet dhe nuk mund të viktimizohen për shkak të mosmarrëveshjeve të Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK-ut.

“Edhe ashtu gjendja në arsim është e rëndë, me grevat e paralajmëruara se mund të përshkallëzohen kjo gjendje vetëm sa do të përkeqësohet. Në këtë kontekst KMDLNj fton Qeverinë e Kosovës përkatësisht MAShT-in që së bashku me SBAShK–un ta gjejnë një zgjidhje që të dilet nga kjo situatë në mënyrë që nxënësit të mos e pësojnë pikërisht në kohën kur po përfundon viti i rregullt shkollor”, thuhet në reagimin e KMDLNj. 

Exit mobile version