Marigo Pozio (mbiemri i vajzërisë Poçi), u lind në Hoçisht të Korçës më 1878 dhe u vendos në Vlorë më 1904.
Punoi për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare dhe mbështeti shkollat shqipe të kohës. Ishte anëtare e klubit “Labëria” dhe aktiviste e gjallë, duke kontribuar edhe në organizimin e orkestrës së klubit.
Më 1914 organizoi shoqërinë e parë të grave në qytetin e Vlorës, të cilën e riorganizoi më 1921 nën emrin “Shpresa Kombëtare”, duke nxjerrë dhe drejtuar gazetën me të njëjtën emër.
Pavarësisht burimeve të ndryshme lidhur me rolin e Marigo Pozios në përgatitjen e flamurit që u ngrit më 28 nëntor 1912 në Vlorë, asaj i atribuohet merita e qëndisjes së atij flamuri të parë.
Qëndisjen e flamujve me shkabën dykrenore e vijoi edhe më pas, duke marrë dhe emrin “Zonja e flamurëve”. Ndërroi jetë në Tiranë më 23 gusht 1932.