Familjarë, artistë dhe miq të shumtë përkujtuan sot regjisoren dhe producenten Vjosa Berisha.
Në ceremoninë përkujtimore të Berishës, u vlerësua angazhimi i saj për jetën kulturore në kryeqytet dhe Kosovë.
Fatos Berisha, bashkëshorti i së ndjerës, mes emocioneve, tha se Vjosa ka pasur shpirt luftarak, e cila nuk është dorëzuar asnjëherë para sfidave.
“Gjithë ne që jemi këtu e kemi njohur Vjosën, shpirtin e saj luftarak. Ajo nuk është dorëzuar asnjëherë para sfidave. Nuk është dorëzuar as para kësaj sfide, siç tha shoku im në Londër, ‘mos të kishin qenë sfidat, Vjosa nuk do të kishte qenë e tillë’. Ajo edhe ndaj kësaj sfide nuk është dorëzuar”, tha ai.
Bashkëpunëtori më i afërt i të ndjerës, producenti Yll Uka tha se veprat kulturore të Vjosës do të jetojnë përgjithmonë.
“Largimi i saj nga kjo jetë është humbje e madhe. Përkujtimi për të është i përhershëm dhe veprat e saj të mëdha do të jetojnë përgjithmonë”, tha ai.
Nderime për Vjosa Berishën shprehu edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Prishtina dhe komuniteti artistik humbën një ikonë, një zë të fuqishëm, një producente të zellshme, një lidere në fushën e artit që me punën e saj të palodhshme e shtroi rrugën e suksesit për shumë gra dhe vajza në këtë vend”, tha Rama.
Ndërsa, Gentiana Pallaska, këshilltarja e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, derisa lexoi letrën e tij, tha se Vjosa Berisha ka lënë prapa një trashëgimi të bujshme profesionale.
“Vjosa ka lënë prapa një trashëgimi të bujshme profesionale në prodhim të filmave, programeve, dokumentarëve dhe fushave të ndryshme mediatike. Puna e saj e pandalshme në PRIFEST për të siguruar mbështetje për nismat filmike, të cilat përfunduan duke marrë çmime të panumërta në ekranet më të mëdha botërore”, deklaroi ajo.
Regjisorja dhe producentja, Vjosa Berisha, ndërroi jetë javën e kaluar, pas një sëmundje të rëndë.