Ka përfunduar dëshmia e dy eksperteve mjekoligjore të thirrura nga mbrojtësi i viktimave, në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Trupi gjykues e ka caktuar 24 gushtin datë për mbajtjen e konferencës përgatitore për mbrojtjen.
Pas disa orë dëshmi para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Karin Dune-Prinsen Cajenn Lozano Parra, e kanë përfunduar dëshminë e tyre lidhur me dëmin fizik dhe psikik që sipas tyre ka pësuar një prej viktimave të pretenduara në këtë çështje gjyqësore.
Ato janë përgjigjur në pyetjet e avokatit të viktimave, pastaj mbrojtjes së Shalës si dhe trupit gjykues.
Pjesë nga dëshmia e tyre ka vijuar e mbyllur për publikun, ndërsa në seancë të hapur ato kanë folur për punën e tyre në Institutin Holandez për të Drejtat e Njeriut dhe Vlerësim Mjekësor.
Ato kanë deklaruar se e bëjnë diagnostikimin dhe trajtimin e personave që kanë përjetuar trauma, derisa kanë theksuar se kanë punuar për organizatën IMO (Organizatë jo qeveritare në Holandë e cila bënë vlerësime mjekoligjore të viktimave të pretenduara të torturës apo keqtrajtimit).
Dëshmitaret kanë thënë e janë autore të një raporti që i është paraqitur turpit gjykues në këtë çështje gjyqësore.
Kryetarja e turpit gjykues Mappie Veldt Foglia, ka lëshuar një urdhër në seancë private, ndërsa ka bërë të ditur se konferenca përgatitore për mbrojtjen e Shalës do të mbahet të enjten me 24 gusht.
Paraqitja e provave nga ekipi mbrojtës i Shalës pritet të fillojë pas gjysmës së muajit shtator.
Shala ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021. Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.