UBT News

​Përfundon seanca në Hagë, gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt do të vazhdojë më 11 janar

Mbrojtja e Nasim Haradinajt në deklaratën hapëse para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka thënë se Haradinaj nuk i ka penguar hetimet dhe as punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Mbrojtja ka deklaruar që Haradinaj beson që është në interes të popullit të Kosovës të mësojë që ZPS ka bashkëpunuar me njerëz të kërkuar nga Interpol-i dhe nga institucionet e Kosovës.

Deklarata e mbrojtjes është përgatitur nga kryesuesi i ekipit, Toby Cadman, por për shkak të infektimit me COVID-19 ai nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit.

Deklarata është lexuar nga një tjetër avokat ku ndër të tjera është thënë se provat të cilat do të paraqiten në emër të Haradinajt do të dëshmojnë që ai nuk ka bërë kërcënime kundër dëshmitarëve të mbrojtur apo viktimave.

“Secili prej dokumenteve që thuhet se janë nxjerrë në këtë çështje dhe që përbëjnë pjesë të kësaj çështje kanë dalë nga Zyra e Prokurorisë Speciale, të pandehurit nuk i kanë marrë këto dokumente, në fakt në hapjen e tij, prokurori i specializuar e konfirmoi për herë të parë se dokumentet ishin vjedhur dhe konfirmoi më tej se të pandehurit nuk ishin përgjegjës për këto. Nga kjo rrjedh se ZPS ka pasur masa sigurie të papërshtatshme dhe kjo është një nga çështjet që qëndron në themel të saj. Gjithashtu ka edhe çështje të hapura sesi dokumentet përfunduan në OVL-UÇK, nëse dokumentet janë të vërteta, këto janë çështje me të cilat gjykata duhet të përballet”, ka thënë avokati derisa ka lexuar deklaratën hapëse.

Deklarata ka shtruar pyetjen se pse Nasim Haradinaj e Hysni Gucati akuzohen ndërsa shumë persona të tjerë që kanë vepruar njësoj me dokumentet nuk pretendohet se kanë bërë ndonjë krim.

“A nuk është në interesin e publikut të dijë se ZPS po angazhohet me njerëz që janë subjekt i Interpol-it, zotëri Haradinaj thotë po, por përveç që thotë po ai beson se bëhet fjalë për një interes të tillë publik dhe duhet kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe se populli i Kosovës meriton ta dijë… Në asnjë fazë asnjë media nuk është kërkuar që ta heq artikujt dhe në asnjë fazë të caktuar këto media nuk janë bërë objekt i ndonjë kontrolli, në fakt ka gazetarë me sa dimë ne kanë ende kopje të këtyre dokumenteve. Si rezultat, pyetja që duhet të bëhet është që pse ne kemi dy të akuzuar para jush sot ndërkohë ka të tjerë që kanë bërë të njëjtën gjë dhe nuk pretendohet se kanë bërë ndonjë krim dhe ndërkohë që situata është kjo”, ka thënë ai.

Në deklaratën hapëse të mbrojtjes është thënë se Haradinaj asnjëherë nuk e ka penguar punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Provat, të cilat do të thirren në emër të zotëri Haradinajt do të demonstrojnë që nuk janë bërë kërcënime kundër dëshmitarëve të mbrojtur apo viktimave të çdo krimi dhe nuk ka pasur asnjë qëllim që individë të tillë të etiketohen, por në fakt zotëri Haradinaj ka theksuar atë se çfarë ka ndodhur dhe ka tërhequr vëmendjen duke vepruar në përputhje me detyrën e tij civile. Ndërkohë ZPS ka tendencë të përdorë fjalë të tilla si gënjeshtarë apo tradhtarë për të forcuar pretendimet e veta të pabazuara megjithatë për të kuptuar komentet e zotëri Haradinajt në tërësinë e vet më mirë sesa të përzgjidhen segmente të caktuara. Pra, është e rëndësishme që të kuptohen fjalët e tij në tërësinë vet dhe për këtë janë drejtuar këta persona, dhe këta janë persona të kërkuar nga Interpoli dhe autoritetet kosovare”, është thënë në deklaratën hapëse të mbrojtjes.

Në deklaratë është thënë se Nasim Haradinaj nuk është fajtor për asnjë nga pikat e aktakuzës.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të vazhdojë në muajin janar.

Trupi gjykues e ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Haradinajt për shtyrjen e gjykimit dhe ka urdhëruar që paraqitja e provave në çështjen Haradinaj të fillojë të martën, më 11 janar 2022.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Exit mobile version