Ka përfunduar greva 3-orëshe e Sindikatës së Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, përmes së cilës po kërkojnë që të dëgjohen kërkesat e tyre për kushte të përshtatshme të punës.
Sekretarja e sindikatës, Arlinda Bajra bëri të ditur se greva 3-orëshe do të vazhdojë gjatë gjithë javës, me shpresën që deri të marrin një përgjigje nga qeveria e Kosovës lidhur me kërkesat e tyre. Në të kundërtën, ajo paralajmëroi se nuk do të ndalin grevën derisa të përmbushen kërkesat e tyre.
“Ju kemi njoftuar edhe paraprakisht që sot kemi vazhduar grevën e pezulluar të muajit maj. Arsyet për këtë grevë janë bërë të ditura edhe paraprakisht. Për shkak të procedurave kemi dhënë një afat prej 30 ditësh për ministrinë për të shqyrtuar mundësinë e realizimit të kërkesave tona. Kërkesat janë paraqitur edhe përmes shkresave me shkrim që janë dërguar disa herë në ministri, ku kanë qenë krijimi i kushteve të punës, propozim ndryshimi i statusit të ATK-së dhe kompensimet tjera për zyrtarët”, deklaroi ajo.
Tutja ajo ka njoftuar se greva është respektuar në të gjitha regjionet e ATK-së.