Hetuesja në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Zdenka Pumper ka përfunduar dhënien e dëshmisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Pumper është marrë në pyetje për gjashtë ditë, ndërsa sot fillon dëgjimi i dëshmitarit të dytë të ZPS-së.
Në përfundim të dëshmisë së saj, derisa i është përgjigjur pyetjeve shtesë të avokatit të Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees, hetuesja Pumper ka thënë se derisa ka kryer kontrollin në zyret e OVL-UÇK, nuk ka qenë në dijeni që Faton Klinaku konsiderohej nga ZPS i dyshuar për këtë çështje.
Ndërsa derisa i është përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues, koordinatorja e kontrollit në çështjen OVL-UÇK, Zdenka Pumper ka thënë se koordinimi i këtij kontrolli ishte projekt i madh. Ajo ka thënë se avokati Tomë Gashi ka qenë i pranishëm gjatë gjithë kontrollit, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Dëshmitarja Pumper ka thënë se gjatë kontrollit i pranishëm ishte edhe një vëzhgues i pavarur.
Trupi gjykues e ka pyetur dëshmitaren Pumper nëse ka ndonjë arsye për të besuar se mund të ketë pasur ndonjë anëtarë të ZPS-së që i ka dhënë informacione Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilat përfshihen në paketat e sekuestruara, gjë për të cilën Pumper ka thënë se ka ndonjë informacion për diçka të tillë.
“Të nderuar gjykatës, me respekt më lejoni të ju them se nuk kam asnjë informacion lidhur me thelbin e hetimit mbi këtë çështje, kështu që nuk mund të jap përgjigje pyetjes se çfarë është hetuar dhe çfarë nuk është hetuar, nuk e kam këtë informacion”, ka thënë Pumper.
Ajo ka thënë se në operacionin janë përfshirë deri në dhjetë persona të ZPS-së, pa shtuar këtu edhe stafin e sigurisë.
Ajo ka thënë se kanë kontrolluar në dy kate të ndërtesës së OVL-UÇK derisa ka shtuar se nuk mban mend në sa zyre.
Pumper është koordinatore e hetimeve në ZPS-së dhe ka deklaruar që është përfshirë në çështjen OVL-UÇK nga 25 shtatori i vitit 2020 ku i është kërkuar që të bëjë shqyrtimin e dokumenteve të sekuestruara në zyret e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Hetuesja Pumper ka dëshmuar për gjashtë ditë në Dhomat e Specializuara në Hagë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Harandinajt të cilët po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020, kur edhe u arrestuan në Prishtinë.
Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.