Ka përfunduar aksioni anti-drogë i cili u zhvillua mëngjesin e sotëm në zonën e Dukagjinit, nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë së Pejës.
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për Luftimin e Narkotikëve, ka njoftuar se nga ky aksion janë arrestuar shtatë persona dhe janë bastisur 10 lokacione në Deçan e Gjakovë.
Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar armë, telefona, para kesh dhe prova tjera materiale të cilat do shërbejnë për ndriçimin e kësaj çështje penale. Vlen të theksohet se vlera totale e drogës së sekuestruar dhe asgjësuar është me së paku 600 mijë euro.
“Pejë, 28 shtator 2022- Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për Luftimin e Narkotikëve, sot janë bastisur dhjetë (10) lokacione (Deçan dhe Gjakovë), ku janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit shtatë (7) persona të dyshuar për veprat penale, “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës apo kanabisit” nga neni 272 dhe “Blerja, posedimit, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjatë bastisjeve në komunën Gjakovë janë sekuestruara rreth 500 gram narkotikë të dyshuar të llojit kokainë, ndërsa gjatë bastisjes në komunën e Deçanit në disa lokacione janë sekuestruara dhe asgjësuar rreth 180 bimë të mbjella të narkotikëve të llojit marihuanë, në sasi totale mbi 100 kilogramë. Gjithashtu, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar edhe armë, telefona, para kesh dhe prova tjera materiale të cilat do shërbejnë për ndriçimin e kësaj çështje penale. Vlen të theksohet se vlera totale e drogës se sekuestruara dhe asgjësuar është me se paku 600 mijë euro. Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor kundër shtatë (7) të pandehurve do paraqes kërkesën për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.