Në Bruksel kanë përfunduar takimet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve. Ende nuk ka prononcime për rezultatin e bisedimeve gjatë këtyre takimeve.
Radio Evropa e Lirë raporton se edhe pse burimet e Bashkimit Evropian kishin thënë se synim ishte që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takohen edhe mes vete, një takim trilateral nuk ka ndodhur.
Takimet kanë nisur pas orës 9:30 të mëngjesit. Fillimisht, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, ka pasur takim me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, që ka zgjatur deri pas orës 12:00. Pastaj ka nisur takimi me delegacionin e Kosovës. As nga delegacionet e Kosovës, e as nga BE-ja, nuk janë dhënë informacione rreth rrjedhës së takimeve.