UBT News

​Për pesë muaj 118 fëmijë viktima të dhunës, katër prej tyre me nevoja të veçanta

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Handikos në kuadër të kampanjës “Bëhu mburoja ime” vendosi dy instalacione kukulla fëmijë me thënie të fëmijëve, që janë viktimave të dhunës në familje.

Drejtori i Handikos, Afrim Maliqi tha se dita ndërkombëtare e fëmijëve ka për qëllim që fëmijët të jenë të lumtur, e për të qenë të lumtur këta fëmijë duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre.

Maliqi tha se fëmijët me nevoja të veçanta përjashtohen nga shoqëria si shkak i paragjykimeve, qasjes që nuk krijon mundësi në hapësirat ku të lëvizin si dhe mungesa e të drejtave të mirëfillta që janë të obligueshme për fëmijët.

“Dita ndërkombëtare e fëmijëve ka për qëllim që fëmijët të jenë të lumtur dhe për të qenë një fëmijë i lumtur duhet t’i gëzojë të gjitha të drejtat, të drejtën në arsim, të drejtën mos të ketë abuzim apo dhunë, të jetë i lumtur dhe i barabartë sikur të gjithë të tjerët. Janë tre shkaktarë të cilët i përjashtojnë fëmijët apo nuk i përfshijnë fëmijët me nevoja të veçanta në shoqëri, ato janë paragjykimet që ekzistojnë për personat me nevoja të veçanta, të cilat shkaktojnë frikë, izolim dhe komplekse, dhe ato familje pranojnë izolimin, e dyta është qasja që nuk u krijojnë mundësi në hapësirat ku lëvizin, dhe shkaktari i tretë është legjislacioni i cili nuk kemi arritur konsideratë, të drejta të mirëfillta dhe që të jenë të obligueshme për fëmijët në këtë rast”, tha ai.

Nga janari i vitit 2021, ka pasur 118 raste të fëmijëve që kanë qenë viktima të dhunës në familje, dhe katër prej tyre kanë qenë me nevoja të veçanta.

“Handikos sot me rastin e 1 qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve ka lansuar kampanjën “Bëhu mburoja ime”, e cila për qëllim ka promovimin dhe raportimin e dhunës tek fëmijët. Kemi vendosur dy instalacione kukulla fëmije të cilat në vete bartin mesazhe të fëmijëve të cilët realisht kanë qenë viktima të dhunës në familje, këto mesazhe i kemi siguruar në bashkëpunim me policinë e Kosovës dhe Shtëpinë e Sigurt në Gjakovë. Një statistikë që e kemi marrë së fundi prej Policisë së Kosovës, ku prej janarit 2021 deri më tani janë regjistruar 118 raste të fëmijëve që kanë qenë viktima të dhunës në familje e që katër prej tyre kanë qenë me nevoja të veçanta”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës gjatë një takimi që pati sot me Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim të hapur e të vazhdueshëm me KOMF në adresimin e nevojave të fëmijëve dhe përmirësimin e përparimin e kushteve për zhvillimin e potencialit të tyre të plotë. 

Exit mobile version