Pelikani kaçurrel është parë sot në Liqenin e Shkodrës. Lajmi bëhet i ditur nga Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër e cila poston një video me pamje të pelikanit kaçurrel në Liqenin e Shkodrës.
Në Shqipëri, Liqeni i Shkodrës, një nga habitatet më të banuara nga specie të ndryshme fluturakësh, po rikthehet në gjendjen e vet tradicionale pas vendosjes së moratoriumit mbi gjuetinë e paligjshme.
Nga specialistët e mjedisit në këtë zonë janë vërejtur mjaft specie të rikthyera duke e populluar atë. Një ndër të rrallët është edhe Pelikani Kaçurrel, një nga speciet e pakta në Evropë që deri tani ka shfrytëzuar si strehën e tij të fundit Lagunën Divjakë-Karavasta.
Pelikani Kaçurrel (Pelecanus crispus) është shpend fluturues, folebërës nga familja e pelikanëve. Popullata më e madhe e këtij lloji të pelikanëve gjendet në lagunën Karavastasë në Shqipëri.
Në Maqedoni gjendet në Liqenin e Prespës. Takohet edhe në liqenin e Shkodrës dhe në rezervatin Srebrna në Bullgari.
Pelikani kaçurrel në pjesën e pasme ka pendë kaçurrele (të përkulura), qesja e fytit është me ngjyrë portokalli, këmbët gri e errët, ndërsa gjoksi është si i bardhë. Në majat e krahëve ka pak pendë të zeza.
Gjatësia e trupit është rreth 180 cm, ndërsa hapja e krahëve rreth tri metra. Pesha mesatare është prej 11/5 kilogramë dhe e bën shpendin më të rëndë në botë të gjinisë së vet. /Atsh