Partia Demokratike në Prishtinë ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të asambleistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci i cili u arrestua nga Policia e Shtetit në Tiranë në kuadër të operacionit antidrogë. Sipas shefit të asamblesitëve të PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, droga e shpërndarë nga Mujeci e ka prejardhjen në Serbi.
Në një konferencë për media ka thënë se caktimi i Mujecit aksionar në ndërmarrjen publike stacioni i autobusëve nuk është i rastësishëm.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese kush e përfaqëson sot votën e qytetarëve të Prishtinës, nga Lëvizja Vetëvendosje. Besnik Mujeci nuk është vetëm asambleist i Komunës së Prishtinës, ditë më parë, pikërisht me insistimin e partisë së tij, ai është caktuar aksionar në ndërmarrjen publike Stacioni i Autobusëve. Sipas informatave të policisë së shtetit të Shqipërisë, droga është eksportuar nga Kosova në Shqipëri përmes autobusëve. Arrestimi i asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, aksionarit të ndërmarrjes Stacioni i Autobusëve, ngre dyshimin e bazuar se caktim i tij ën këtë pozitë të lartë si aksionar në këtë ndërmarrje nuk ka qenë aspak i rastësishëm”, ka thënë ai.
Sipas Retkocerit, droga është marrë në Serbi.
“Në të njëjtën kohë, i arrestuari, narkotrafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujeci është mik shumë i afërt i shefit të grupit të asambleistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, zotëri Gëzim Sveçla. Për ju që nuk e njihni Gëzimi është djali i axhës i ministrit të Punëve të Brendshme, zotëri Xhelal Sveçla. Kjo nuk është e tëra ky lloj i drogës i shpërndarë nga narkotrafikanti i Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, prejardhjen e saj e ka në Serbi. Pra këta e kanë marrë drogën në Serbi dhe e kanë sjellë në Kosovë për ta dërguar në Shqipëri. Prandaj,. PDK në Prishtinë, kërkon urgjentisht nga organet e rendit në Republikën e Kosovës që të nisin hetimet e menjëhershme për aferën droga në të cilën është përfshirë asambleisti i Vetëvendosjes”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë rast, PDK në Prishtinë ka kërkuar hetime të menjëhershme si dhe dorëheqje të asambleistit të Vetëvendosjes.
“Ne dyshojmë se Besnik Mujeci mund të mos jetë i vetmi i përfshirë në këtë aferë të madhe të kontrabandimit dhe shitjes së drogës. Pyetjet tona për organet e rendit janë të qarta, ku e mori narkotrafikanti i Vetëvendosjes Besnik Mujevci këtë sasi të madhe të drogës, sa herë deri sot ai ka shfrytëzuar kanalet zyrtare dhe pozitën institucionale për të kontrabanduar drogë për në Shqipëri, a është Shqipëria vendi i vetëm në të cilin ka trafikuar drogë Besnik Mujeci, a ka persona të tjera nga radhët e kësaj partie të cilët janë të përfshirë në këtë aferë të madhe të drogës, pse Besnik Mujeci nuk është arrestuar deri sot në Kosovë, a ka pasur mbrojtje nga zyrtarët dhe institucionet e tjera në vendin tonë. Prandaj, pas këtyre pyetjeve, ne kërkojmë dorëheqjen e parevokueshme dhe të shpejtë të asambleistit Besnik Mujeci, i cili ka tradhtuar besimin qytetar dhe obligimin zyrtar”, ka thënë ai.
Këshilltari komunal i Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Mujeci, është pjesë e një grupi prej pesë personash të arrestuar nga Policia e Shtetit në Tiranë në kuadër të operacionit antridrogë “Punisher 2”.
Mujeci së bashku me personat e tjerë të arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri” në Tiranë së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.
Përpos Mujecit, janë arrestuar edhe Mithat Ramadani 30 vjeç, Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, Daniel Avdija 26 vjeç.