Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar një varg kritikash ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Një javë pas fjalimit të së parës së shtetit në Kuvend, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se Osmani ka dështuar në punën e saj gjatë vitit 2022.
“Gjatë vitit 2022, Republika e Kosovës nuk ka pasur asnjë njohje të re. Politika e jashtme është një ndër shtyllat kryesore që lidhen me pozitën e presidentes. Asnjë angazhim konsistent, përveç deklarativ nuk kemi pa nga presidentja për këtë çështje kardinale në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Ka dështuar plotësisht për të ushtruar këtë rol. Për më tepër ka dështuar në mbrojtjen e imazhit të Kosovës si shtet i konsoliduar dhe ka abstenuar nga çfarëdo përballje në interes të vendit”, tha ajo.
Sipas saj, presidentja javën e kaluar në Kuvend tha gjëra të pavërteta dhe cilësime të pabaza.
“Çdo e pavërtetë për Kosovën, mbi Kosovën dhe rrugën e lavdishme të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë me gjithë protagonistët e saj, kurrë nuk do të bëhet qëndrim i shtetit. Pavarësisht se mund të jetë qëndrim i Vjosa Osmanit që sot mban pozitën e presidentes”, shtoi Hoxha.
Ajo kritikoi Osmanin edhe për siç tha abstenimin nga komentimi i çështjeve serioze të interesit publik.