Partia Demokratike e Kosovës ka lëshuar mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, për shkak të ofendimeve që sipas tyre, kanë marrë nga ushtruesja e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.
Menjëherë pas largimit nga mbledhja, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se opozitarizmi i Lëvizjes Vetëvendosje po e rëndon mazhorancën, duke tentuar të mbysë debatin në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se u.d. shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, është e fundit në Kuvendin e Kosovës që mund t’i quajë deputetët “më shumë banditë sesa parti opozitare”.
“Lëshuam mbledhjen e kryesisë të Kuvendit të Kosovës për shkak të pamundësisë për të vazhduar më tutje për shkak të ofendimeve që vijnë nga grupi më i madh parlamentar, nga shefja e GP, znj. Kusari, që përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje. Pra, edhe njëherë, një frymë e njëjtë po vazhdon sikurse ishte në seancën e javës së kaluar, ku ky pushtet po tenton me ngulm t’i ofendojë deputetët e opozitës, me e ndal fjalën e deputetëve të opozitës, dhe mos t’i trajtojë agjendat tona si parti opozitare në Kuvendin e Kosovës. Ndoshta e fundit në Kuvend është znj, Kusari që ka deficite të mëdha morale e çfarëdo qofshin ato për t’i quajtur deputetët e opozitës që ‘më shumë ngjasojnë me banda, sesa me parti opozitare’”, tha ai.
Ai kritikoi Qeverinë Kurti për programin qeveritar, teksa tha se ekzekutivit po i konvenon zhurma për të mbuluar anët e errëta të saj.
“Ofendimet dhe sharjet vazhduan nga znj. Kusari, të cilat ishin edhe në seancën e ditës së premte. Pra, kjo qeveri, mund edhe t’i konvenojë kjo zhurmë, për shkak se do të mbulojë pjesën e errët të tyre, që ishte pagesa e rrymës elektrike në veri të vendit”, shtoi ai.
Tahiri nuk bëri të ditur nëse do të marrin pjesë në seancën për arsimin, duke thënë se për këtë do të diskutojnë me grupin parlamentar.