UBT News

​PDK: Largimi i akcizës dhe lirimi nga TVSh, nevojë urgjente

Partia Demokratike e Kosovës e ka kritikuar qeverinë për mosveprim karshi rritjes së çmimeve dhe problemeve me të cilat po përballen qytetarët. Sipas PDK-së, Qeveria Kurti po e thellon varfërinë, migrimin dhe falimentimin e firmave. Kjo parti vlerëson si nevojë urgjente lirimin nga TVSh për mallrat esenciale të konsumit për një periudhë të caktuar, largimin e akcizës dhe zbritjen e TVSh-së në produktet e naftës.

Sipas anëtarit të kryesisë PDK-së, Blerand Stavileci, Qeveria Kurti është e vetmja në botë e cila po vepron për të lehtësuar krizën.

“Prodhimet elementare si buka, qumështi, vaji, nafta, drutë për ngrohje kanë ngritje të pashembullt dhe tanimë të papërballueshme për familjet kosovare prej rreth 40%. Familjet nuk po kanë asnjë pako lehtësuese për përballim të krizës, punëtorët nuk po kanë asnjë ngritje të pagës të paktën të indeksuar me përqindjen e rritjes së inflacionit. Firmat kosovare nuk po gëzojnë asnjë mbështetëse të paktën për të ruajtur ekzistencën në treg dhe për të mos i shkurtuar vendet e punës”, ka thënë ai.

Stavileci tha se qeveria duhet të kujdeset që qytetarëve t’u ndihmojë në përballje me këto kriza.

“Qeveritarët e Albin Kurtit nuk do të duhej të silleshin si sehirxhi. Qeveria nuk është spektatore, ajo duhet të jetë aktore dhe promotore e zhvillimit. E nëse këtë s’mund ta bëjë, atëherë minimalisht duhet të kujdeset që qytetarëve dhe familjeve t’u ndihmojë në përballje me këto kriza”, tha Stavileci.

Koordinatori i Departamentit për Financa, në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa i ka bërë thirrje qeverisë që në mënyrë urgjente të reagojë lidhur me situatën aktuale.

“Është nevojë urgjente dhe e domosdoshme që të bëhet lirimi nga TVSh-ja i mallrave esenciale të konsumit për një periudhë të caktuar kohore, dhe po ashtu të largohet akciza dhe të zbritet TVSh-ja në produktet e naftës, po ashtu për një periudhë të caktuar kohore. Gjithashtu duke pasur parasysh degradimin standardit të jetesës në vend, si pasojë e rritjes së çmimeve, dhe rrezikun e recesionit që po i kanoset ekonomisë së vendit, qeveria e vendit po ashtu duhet të rrisë përfitimet në kuadër të skemave sociale dhe pensionale të vendit në mënyrë që të ruhet aftësia blerëse e këtyre shtresave mjaft të ndjeshme të shoqërisë, po ashtu të përshtatë pagat e punonjësve të sektorit publik për aq sa është norma e inflacionit”, ka thënë ai. 

Exit mobile version