UBT News

​PDK kundër paralajmërimit të ZRRE-së për rritje të çmimit të energjisë elektrike

Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike për 14%.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala në seancën e sotme të Kuvendit tha se kjo rritje është e papërballueshme dhe nuk duhet të ndodhë.

“Jemi në prag të vendimmarrjes nga ZRRE për ngritje të tarifave për 14%, ne si PDK jemi kundër dhe kërkojmë që kjo masë të mos ndodh. Për arsye të gjendjes ekonomike jo të mirë të vendit, inflacionit të lartë mbi 14% të të gjitha produkteve bazë të jetesës, për shkak të rënies së fuqisë punëtore dhe rënies së shumë vendeve të punës dhe ikjes masive të qytetarëve. Kjo rritje është e papërballueshme dhe nuk duhet të ndodhë”, tha ai.

Deputeti Shala tha se Kosova ndodhet në këtë gjendje për shkak se tash në dy vitet e fundit ka paqartësi rreth të ardhmes në sektorin energjetik.

Shala propozoi që të krijohet një task-forcë nacionale me ekspertë të pavarur.

Sipas tij, kjo situatë ka ardhur edhe për shkak të ndërhyrjeve politike në rregullatorin ZRRE, KEK e KOSTT.

“Tash e dy vite jemi në paqartësi rreth të ardhmes së sektorit energjetik të vendit, paplanifikimit rreth remoneteve të termocentraleve, jemi këtu edhe për shkak të ndërhyrjeve politike në rregullatorin ZRRE, KEK, KOSTT jemi këtu sepse kemi negociuar për dy vite udhërrëfyesin e energjisë dhe tani edhe pas nënshkrim nuk kemi implementim dhe zbatim të tij. Jemi këtu sepse kemi keqmenaxhim të KEK mbështetur në kuadro krejtësisht politike dhe jo profesionale… Ju ofrojmë mbështetje për të dal nga kjo rrugë por jo me këtë formë e këtë platformë e këtë sjellje që qeveria ka. Nëse keni vullnetin e mirë që të kalojmë këtë krizë dhe këtë goditje të rëndët për vendin, të krijojmë një task-forcë nacionale me ekspertë të pavarur të cilët shumë shpejt do të merrnin përsipër reformën e thellë në sektorin energjetik të vendit, do të merrnin vendim në rrugëtimin tonë politik strategjik për sektorin”, tha Shala.

Exit mobile version