Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në seancën e sotme plenare kërkoi formimin e komisionit hetimor për krizën energjetike.
Deputeti Ferat Shala tha se kërkesa për hetim parlamentar është e ligjshme dhe natyrshme për t’i dhënë dritë miliona eurove subvencione për import të energjisë elektrike. Ai tha se mohimi i të drejtave të 40 deputetëve do të përshkallëzoje situatën politike në Kuvend.
“Kërkesa jonë për komision hetimor parlamentar është e drejtë e ligjshme e natyrshme. Problemet ekonomike energjetike kanë kapluar pjesën dërmuese të debatit politik ekonomik dhe social të vendit. Ky sektor në kohë të veçantë ka rënduar edhe xhepin e çdo qytetari. Qeverisë i ka hequr nga buxheti i saj rreth 100 milionë euro, andaj kemi obligim të kemi një proces transparent që nuk e kemi deri më sot… Mazhoranca nuk mund të mbijetojë në pushtet duke mohuar të drejtën legjitime kushtetuese të opozitës, ajo duhet t’i kthehet projekteve, llogaridhënies, transparencës dhe bashkëpunimin me opozitën, shoqërinë civile dhe grupet e interesit. Arroganca e fuqisë së numrave do të përshkallëzojë situatën politike në kuvend që nuk i duhet kuvendit”, tha ai.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se pajtohen që të formohen edhe komisione të tjera hetimore për energjinë, por kërkesa e tyre është e veçantë për hetim vetëm të shpenzimit të 125 milionë eurove në krizën energjetike.
“Komisioni hetimor ka mandat gjashtë muaj. A ua merr mendja se për 6 muaj edhe nëse punojmë 12 orë në ditë, do të mund t’i përmbledhim të gjitha këto gjëra? Vetëm për Hadën mund të bëhet një komision hetimor, pra për secilën çështje nëse doni ta trajtoni duhet të ketë komision hetimor. Jo dy, por ne ju ftojmë t’i bëjmë 20 komisione hetimore për secilin vit dhe i trajtojmë”, tha ai.