Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk do të lëshojë pe për themelimin e komisionit hetimor parlamentar. Në partinë opozitare thonë se s’do të ketë normalitet parlamentar pa u themeluar i njëjti.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për medie tha se në asnjë rrethanë nuk do të tërhiqen nga themelimi i komisionit.
“Si grup parlamentar i PDK-së dhe iniciues të këtij komisioni, në asnjë rrethanë nuk do të tërhiqemi dhe nuk do të biem pre e provokimit të paprecedent të pushtetit, ku kërkon të korrigjojë kërkesën tonë. Pra, nuk ka ndodhur asnjëherë që pushteti t’i kërkojë opozitës të korrigjojë kërkesën e vet, sepse s’qenka në rregull. Ne kërkojmë hetim parlamentar se ky ka me qenë i pashmangshëm, paevitueshëm”, tha ai.
Sipas tij, pushteti në emër të importit të energjisë ka ndarë 125 milionë euro dhe nuk po tregon sa janë shpenzuar prej tyre.
“Nuk do të ketë normalitet parlamentar pa u themeluar komisioni hetimor parlamentar dhe të hetohen këto çështje të rëndësishme, pasi në emër të importit janë ndarë 125 milionë euro që nuk po tregohet sa janë shpenzuar. Në emër të importit është shtrenjtuar çmimi i energjisë elektrike, qytetarët kanë paguar fatura të dyfishta. Pra, këto janë të patejkalueshme dhe do të hetohen”, tha ai.
Ai u shpreh kritik edhe për nismën e partisë në pushtet për komisionin hetimor.
“Më shumë se 12 vjet në opozitë, asnjëherë LVV nuk ka kërkuar komision hetimor për ato keqpërdorime që sot pretendon se janë bërë për vite të tëra. A sot iu doli gjumi a ?”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët, Tahiri foli edhe për takimin e djeshëm të kryeministrit Kurti me presidentin Vuçiq.
“Pas çdo takimi në bazë të një rezolute të Kuvendit të Kosovës, kryeministri do të duhej me vetiniciativë të raportojë në Kuvend, qoftë takim, darkë apo çfarëdo komunikimi me presidentin serb, mirëpo ai vazhdon me avazin e njëjtë. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha instrumentet parlamentare që mos të lejohet të ndodhë asgjë në këtë kuvend derisa nuk themelohet komisioni hetimor”, tha ai.