UBT News

​PDK dënon sulmin ndaj policisë dhe kërkon strategji për largimin e bandave kriminale në veri

Partia Demokratike e Kosovës ka dënuar sulmin e sotëm ndaj Policisë së Kosovës, ku mbrëmë në veri të vendit mbeti i plagosur një zyrtar policor.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në seancën parlamentare kërkoi nga Qeveria e Kosovës hartimin e një strategjie për eliminimin dhe largimin e këtyre bandave të cilat e pamundësojnë shtrirjen e sovranitetit tonë në katër komunat në veri të Mitrovicës.

“Si Grup Parlament i PDK-së, e dënojmë ashpër sulmin ndaj policisë së Kosovës që ndodhi mbrëmë dhe që rezultoi me plagosjen e një zyrtari policor të Policisë së Kosovës. Policit i dëshirojmë shërbim të shpejtë dhe kthim sa më të shpejt në vendin e tij të punës. Ky angazhim i Policisë së Kosovës ndodhi si rezultat i dekretimit të datës së zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës”, tha ai.

Deputeti i PDK-së tha se Qeveria e Kosovës nuk duhet të ndërmerr hapa sporadik për gjendjen në veri, por të ketë një strategji për të trajtimin e kësaj zone mjaft problematike. Ai tha se si grup parlamentar janë të shqetësuar për gjendjen në atë pjesë dhe sigurinë e të gjithë atyre qytetarëve në veri.

“E shohim një angazhim të madh të shtetit serb për ta nxjerrë nga kontrolli jonë institucional këtë pjesë të Republikës së Kosovës. Mirëpo, Qeveria e Kosovës nuk duhet të ndërmerr hapa sporadikë. Nuk duhet të bëjë veprime ad-hoc, por duhet të ketë një strategji për të trajtimin e kësaj zone mjaft problematike. Përderisa sulmohen zyrtarët tanë policorë, përderisa sulmohet shteti i Kosovës, ne nuk mund të ndërmarrim hapa sporadikë. Duhet të kemi një strategji për eliminimin dhe largimin e këtyre bandave të cilat e pamundësojnë shtrirjen e sovranitetit tonë në funksionimin e sovranitetit në atë pjesë të Kosovës. Si GP i PDK-së jemi të shqetësuar për gjendjen në atë pjesë dhe sigurinë e të gjithë atyre qytetarëve që janë atje, qofshin ata serbë, shqiptarë, boshnjakë, romë e ashkalinj”, tha ai.

Tahri theksoi po ashtu se Kosovës i duhet një koordinim më i madh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Exit mobile version