Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media në hollin e Kuvendit të Kosovës ka njoftuar që Grupi Parlamentar i PDK-së nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, për shkak të mospërfshirjes së veteranëve të UÇK-së në projektligjin për pagën minimale.
“Në vend se të kishim sot debat për nivelin e pagës minimale për të vendosur pak më shumë drejtësi, qeveria ka vendosur që të bëjë padrejtësinë më të madhe e më të turpshme ndaj atyre që janë pjesë e dinjitetit tonë kombëtar e historik. Prandaj, injorimi dhe mospërfshirja e kompensimit të veteranëve të UÇK-së në ligjin për pagën minimale është një turp, pjesë e të cilit ne nuk do të bëhemi kurrë dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm. Mbi këtë bazë, Partia Demokratike e Kosovës sot nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit. Para se e njëjta të fillojë, dua që nga këtu t’i bëj thirrje edhe një herë qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe mos ta procedojë tutje për miratim”, theksoi kryetari i PDK-së.
Krasniqi tha se injorimi i veteranëve nga Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje është turp i madh, pjesë e të cilit Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet kurrë dhe do ta kundërshtojë fuqishëm.
“Duke vendosur njëanshëm dhe në mënyrë të turpshme që të përjashtoj kategoritë e veteranëve të UÇK-së nga ky ripërcaktim i pagës minimale. Veteranët e uck janë më meritorër për lirinë tonë. Shteti ynë e pavarësia jonë e ka në themel luftën për liri të këtyre burrave e grave që kanë rrezikuar jetën dhe kanë lënë pjesët e trupit nëpër vija të frontit. Ata janë manifestim i gjallë i sakrificës tonë kolektive për liri dhe pavarësi”, tha ai.
Lidhur me paralajmërimin e protestave nga veteranët, ai tha se Qeveria nuk ka nevojë që me kaq zell ta kaloj këtë ligj diskriminues që po tenton ta zhduk dialogu social.