“Ngrohja nuk është komoditet”, “Asnjë cent më shumë”, “Lësho rrymën, lësho rrjetin, largoje KEDS-in”, janë mbishkrimet në pankartat me të cilat para objektit të Qeverisë kanë protestuar një grup i qytetarëve për të kundërshtuar ngritjen e çmimit të rrymës.
Organizatorja e kësaj proteste, Anita Mjeku, tha se kërkojnë që Qeveria të mos aprovojë bllok-tarifën, si dhe të shtetëzojë KEDS-in.
Mjeku tutje tha se propozimi i fundit i propozuar nga ZRrE-ja do ta varfërojë edhe më shumë secilin prej qytetarëve.
“Që nga dhjetori i vitit të kaluar ne jemi shantazuar vazhdimisht me reduktime dhe rritje të çmimeve të energjisë, e jemi tallur nga institucione që janë zgjedhur për të na përfaqësuar. Një herë u ballafaquam me reduktime enorme të energjisë të cilat na përkeqësuan mirëqenien e funksionimin kolektiv të secilit prej nesh për tu kërcënuar tutje se nëse nuk duam reduktime duhet të paguajmë më shumë, e tash po përballemi me shantazhin e Qeverisë për shtrenjtimin e energjisë. Propozimi i fundit i ZRrE -së për vendosjen e bllok-tarifës për rritjen e çmimit të energjisë do të na varfërojë edhe më tej secilin e secilën prej nesh”, tha ajo.
Në emër të atyre që kishin dalë për të protestuar, Mjeku iu përgjigj kyreministrit Albin Kurti se rryma asnjëherë nuk ka qenë e lirë. Ajo paralajmëroi të parin e ekzekutivit se duhet të zgjedhë mes qytetarëve dhe KEDS-it.
“Në anën tjetër kryeministri i Kosovës na thotë se qytetarët po fantazojnë, sepse nuk ka rrugëdalje, ose shtrenjtim, ose reduktime, ose subvencionim, osat e kryeministrit, ne duhet t’i themi atij, ose neve ose KEDS-in, dhe ia bëjmë me dije edhe kryeministrit dhe të gjithë atyre që sot kanë guxim ta fyejnë çdo person në Kosovë që rryma asnjëherë nuk ka qenë e lirë. Ne e dimë edhe sa e paguajmë faturën, edhe sa fiton KEDS-i, edhe sa pagunë veriu, dhe sa i’a jepni ju KEDS-it subvencion nga paratë tona. Kryeministër na dimë më shumë se sa t’i mendon, na e dimë se faturën e rrymës po e paguajmë katër herë të njëjtën… Andaj dhe kërkojmë që, Qeveria të mos aprovojë bllok-tarifën e propozuar nga ZRrE-ja, ta shtetëzojë KEDS-in, kjo si zgjidhja më e qëndrueshme për furnizimin të energjisë eklektike të gjithë neve pa dallim”, thotë ajo.
Kundër propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) kanë dalë edhe qytetarët.
Qemal Leshnjani tha se ka dalë në këtë protestë për t’i bërë apel kryeministrit për të mos e ngritur çmimin e energjisë.
“Kam dalë në protestë për rrymë, mos të shtrenjtohet rryma nuk shkon kështu, t’i bëjmë apel Albin Kurtit që nuk shkon më, mos prit me u ngrit më shumë, sepse boll më me protesta, boll më”, tha ai.
Edhe Hajrie Latifi tha se kryeministri ka premtuar shumë, mirëpo asnjërën nga ato premtime nuk është duke e realizuar.
“Kam dal të protestoj për rrymë, neve gjithmonë na ka premtuar Albini që do të bëjmë kështu, askund nuk ka dalë me premtime, me çka me jetu populli, me një pension 100 euro apo mendojnë vetëm për veten”, tha ajo.
Protesta kundër shtrenjtimit të rrymës ka paralajmëruar edhe Partia Socialdemokrate, e cila një të tillë ka njoftuar se do ta mbajë të shtunën.