Papa Françesku deklaroi sot se lufta në Ukrainë ka treguar se njerëzimi duhet të refuzojë instinktin e çuditshëm të “vetëshkatërrimit” dhe se blerja e më shumë armëve nuk është zgjidhja përfundimtare për çdo konflikt.
Françesku u kërkoi pjesëmarrësve në audiencën e tij të përgjithshme javore të kujtonin të gjitha viktimat e luftës – të vdekurit, duke përfshirë “ushtarët e rënë në njërën anë ose tjetrën”, të plagosurit, të pastrehët dhe refugjatët.
“Zoti dërgoftë shpirtin e tij për të kuptuar se lufta është disfata e njerëzimit, se ne duhet të mposhtim të gjithë ata që bëjnë luftë”, tha ai.
“(Lufta) është një nevojë që na shkatërron”, tha ai, duke iu lutur Zotit që “të na çlirojë nga kjo nevojë për vetëshkatërrim”.
Kjo është hera e dytë që nga fillimi i luftës në Ukrainë që Papa ngjall një parandjenjë të luftës bërthamore.
Françesku e ka dënuar ashpër luftën disa herë, por e ka kritikuar Rusinë vetëm në mënyrë implicite, duke shmangur deri më tani përmendjen e emrit të vendit. Ai përdori terma si agresion i pajustifikuar, masakra dhe mizori.
“Le të lutemi që ata në pushtet të kuptojnë se blerja dhe prodhimi i armëve nuk është zgjidhja e problemit. Zgjidhja është të punojmë së bashku për paqen, siç thotë Bibla, për t’i kthyer armët në instrumente paqeje”, tha Papa Françesku.
Françesku ka thënë në të kaluarën se buxheti i shpenzuar për armë duhet të rialokohet për qëllime të tjera, të tilla si luftimi i urisë në botë dhe zhvillimi dhe shpërndarja e vaksinave. Ai bëri thirrje gjithashtu për ndalimin e armëve bërthamore, duke thënë se edhe mbajtja e tyre për parandalim është imorale.