Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për akuzën se ka keqpërdorur detyrën zyrtare për kohën sa ka qenë në krye të komunës.
Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda për Shaqir Zika – pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurin G.R. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi me kusht në kohëzgjatje prej një (1) viti i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse në afatin e verifikimit prej dy (2) vjet nuk do të kryej vepre tjetër penale.
Të pandehurve P.L. dhe I.I., gjykata i shpalli fajtorë dhe i’u shqiptoi secilit veç e veç dënim me burgim me kusht në kohëzgjatje prej një (1) viti e gjashtë (6) muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse në afatin e verifikimit prej dy (2) vjet nuk do të kryejnë vepra tjetër penale.
“Për të pandehurin V.H. gjykata e shpalli fajtor për dy veprat penale dhe i shqiptoi dënim unik me gjobë në shumë prej tetëmijë (8.000,00) €, si dhe me dënim me burgim me kusht në kohëzgjatje prej një (1) viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afatin e verifikimit prej dy (2) vjet nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale. Ndaj të pandehurve G. R., P.L. dhe I. I., i’u shqiptohet dënimi plotësueses ashtu që të njëjtëve i’u “Ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik” në kohëzgjatje prej 2 vjet nga dita a plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Detyrohen të pandehurit G.R., P.L., I.I. dhe V.H., që në emër të dëmit të shkaktuar në mënyrë solidare të dëmtuarës, Komuna e Gjakovës, të i’a kompensojnë dëmin në vlerë prej gjashtëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e gjashtë (69,786.00) €, ndërsa i akuzuari V. H., detyrohet që ATK-së ti kompensoi shumën prej njëzet e një mijë e dyqind e tetëdhjetë e tre (21,283.00) € në emër të tatimit të pa paguar si dhe në emër të kontributeve personale shumën prej tre mijë e katërqind e tridhjetë e pesë (3.435,48) €, në afat prej një (1) viti nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në komunikatën e gjykatës.
Ndërsa, i pandehuri G.R., akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare. Sipas aktakuzës, kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT U.-V.”, me pronar V. H., për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta.
Tutje në komunikatë bëhet e ditur se “Të pandehurit P.L. dhe I.I., akuzohen se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “U.-V.”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Ndërsa i pandehuri V.H., akuzohet se në cilësinë e përgjegjësit kryesor të biznesit “U.-V.”, me seli në Gjakovë, në periudhën kohore 2008-2014, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë. Përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit, sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “U.-V”, përfundon komunikata.