Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se Shqipëria dhe Maqedonia Veriore i kanë përmbushur kushtet për të hyrë në BE, gjatë prezantimit të paketës së zgjerimit nga Parlamenti Evropian.
Sipas tij, shtyrja e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore ka krijuar impakt negativ.
“Shtyrja e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka krijuar impakt negativ. Duhet zgjidhur problemi bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Të dyja vendet kanë përmbushur kushtet. Është e rëndësishme që këtë ta kuptojnë edhe vendet e BE. Që të nisim dhe konferencën e parë ndërqeveritare. Pas Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të kalojmë te Mali i Zi, ku janë hapur kapitujt të negociatave. Nuk mund do të mbyllen kapitujt, kjo është pjesë e metodologjisë së re. Mali i Zi duhet të shtojë përpjekjet, siç është liria e shtypit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Serbia duhet të forcojë pavarësinë e gjyqësorit, kjo duhet të bëhet brenda këtij viti. Falënderoj Tanja Fajon për misionin e përmbushur për dialogun Serbi-Kosovë. Shqipëria ka arritur rezultate të prekshme në reforma, në luftën kundër korrupsionit”, deklaroi ai mes tjerash.
Kurse sa i përket zgjedhjeve në Kosovë, Varhelyi tha se zgjedhjet janë organizuar në përgjithësi mirë.
“Zgjedhjet janë organizuar në përgjithësi mirë. Janë arritur rezultate në luftën kundër krimit të organizuar. Liderët politikë duhet të japin mbështetjen e tyre për dialogun në reformën në gjyqësor dhe në zbatimin e ligjit. Kosova ka qeverinë e saj të re që u përcaktua në zgjedhjet e shkurtit. Është me rëndësi që të shënojë progres në luftën kundër korrupsionit. Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për lehtësimin e vizave. BE ka mundësuar dialog mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi ai.