Një ditë para se PZAP t’iu përgjigjet ankesave të disa partive politike, lidhur me moscertifikimin e listave për kandidatë për deputetë, pak shpresë po shihet për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe të tjerët që të certifikohen si kandidatë për deputetë. Ndaj ish-kryeministrit dhe 46 kandidatëve të tjerë, që sipas KQZ-së kanë dënime të plotfuqishme në tri vitet e fundit dhe bien ndesh me aktgjykimin e Kushtetueses, nuk pritet të merret një vendim në favor të tyre nga PZAP dhe Gjykata Supreme. Ndërkohë, këto të fundit pritet të certifikojnë listat e LVV-së, AAK-së dhe Nismës pa të njëjtit kandidatë për deputetë në listat e tyre.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Yll Zekaj thotë për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese ka krijuar një normë të re me aktgjykimin e saj dhe e njëjta është obliguese për institucionet e tjera.
“Në bazë të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ka pak gjasa që ankesa në këtë kontest për të cilin këta 47 kandidatë për deputetë i atakojnë këto vendime, ka pak gjasa që i njëjti të ndryshojë ose më thënë nuk asnjë mundësi. Tani e kemi një situatë të re juridike të krijuar me një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila është obliguese. Ne nuk presim që as PZAP dhe as Gjykata Supreme mund të bëjë një gjë të tillë, përkatësisht të mos respektojë këtë kërkesë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për arsye se e njëjta është obliguese. Nëse shikojmë diapozitivin, e cila është pjesa që obligon, aty nuk lë hapësirë të interpretimit”, thotë ai.
Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë për KosovaPress se Gjykata Supreme është instanca e fundit që pritet të marrë vendim lidhur me certifikimin ose jo të listave të kandidatëve për deputetë nga partitë politike.
Por sipas saj, mund të ketë ankesë edhe në Gjykatë Kushtetuese, por e njëjta nuk pritet të ndikojë këtë fazë të procedurës dhe KQZ-ja do të vazhdojë të kryejë punën e saj, sipas vendimit të Supremes.
“Ajo çka mund të ndodh është që kandidati të dërgojë rastin edhe në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo dërgimi i tij nuk ndikon në këtë fazë të procedurës. Meqenëse KQZ-ja e kryen punën e saj, pas vendimit të Gjykatës Supreme. Ajo çka mund të ndodh nëse kemi vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë situatë që të vendoset një standard për zgjedhjet e ardhshme. Mirëpo për fazën të cilën gjendemi tani është Gjykata Supreme është instanca e fundit dhe e tretë lidhur me ankesat që mund të kenë ndaj vendimi të KQZ-së”, deklaron ajo.
Ndërkaq, juristi në IKD, Yll Zekaj tregon pritjet e tij nga PZAP ose Gjykata Supreme, për të cilat thotë se të njëjtat mund të certifikojnë listat e subjekteve politike duke mos përfshirë personat të cilët nuk janë zëvendësuar dhe bien në kundërshtim me nenin 29, pikën “q” të Ligjit për Zgjedhje.
“Në rastin e shqyrtimit të ankesave nga PZAP tani, e njëjta mund të certifikojë listat e subjekteve politike duke mos përfshirë personat të cilët nuk janë zëvendësuar dhe bien ndesh me gjetjet e KQZ-së për të cilin shkak nuk kanë certifikuar listat. Një gjë e tillë mund të bëhet edhe nga ana e Gjykatës Supreme, mund të kemi edhe ndonjë ankesë që mund të aprovohet që nuk është matur mirë këto tri vitet e dënimit”, thotë ai.
KosovaPress ka marrë një përgjigje edhe nga kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mulë Desku, i cili u shpreh se lëndët janë në shqyrtim dhe apelet ende nuk janë vendosur. Sipas tij, vendimet do të merren deri nesër, ashtu siç janë të parapara edhe me ligj.
Vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme nga KQZ thonë se do të respektohen në tërësi.
“KQZ është duke pritur shqyrtimin dhe vendimin e PZAP-së lidhur me ankesat të cilat janë paraqitur në këtë institucion. Siç kemi bërë të ditur edhe më parë, KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-së si dhe Gjykatës Supreme”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për KosovaPress.
Në mbledhjen e së premtes, KQZ-ja nuk certifikoi listat e kandidatëve për deputetë nga LVV-ja, AAK-ja, Nisma dhe disa partive të komuniteteve jo shumicë. Të njëjtat në afatin prej 24 orëve dorëzuan ankesat në PZAP, ndërsa si mundësi e kanë edhe shkallën tjetër të ankesës në Gjykatën Supreme.