Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se sipas të gjitha gjasave, 18 dhjetori do të jetë data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për katër komunat veriore në vend.
Osmani para mediave tha se për këtë datë u dakorduan edhe me subjektet politike që morën pjesë në takim.
Presidentja e vendit shtoi se sot në mbrëmje ose nesër në mëngjes pritet të shpallen zgjedhjet, të cilat do të organizohen në koordinim me institucionet e sigurisë.
“Nga të gjitha partitë që ishin prezentë, kërkova mendim rreth datës 18 dhjetor, sepse është data e fundit që lejohet, por në të njëjtën kohë kjo do t’i lejonte hapësirë më të madhe manovrimi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që të bëhen përgatitjet e nevojshme. Ne, sapo t’i përfundojmë këto deklarime, do të ulemi edhe një herë me ekipin tonë ligjor dhe pastaj do ta bëjmë publik vendimin përfundimtar. Opsion tjetër është data 11 dhjetor, por sipas të gjitha gjasave do të shkojmë më datën 18 dhjetor sapo t’i marrim konfirmimet e duhura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që gjithçka është në rregull në këtë datë sa i përket përgatitjeve por, edhe nga institucionet e sigurisë për të gjitha planet operacionale edhe përgatitjen që duhet të bëhen për mbarëvajtjen të zgjedhjeve”, tha Osmani.
Në këtë takim ku nuk morën pjesë përfaqësues të AAK-së dhe Listës Serbe, presidentja nga këtu i bëri thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve në veri.
“Data e fundit kur do të mund të mbaheshin zgjedhje sipas këtyre afateve është data 18 dhjetor. Ne kemi diskutuar me partitë politike që ishin pjesëmarrëse në këtë konsultim rreth përgatitjeve që duhet t’i bëjë Komisioni Qendror Zgjedhor, sepse ka procedura të cilat duhet të respektohet në mënyrë që gjithçka të shkojë sipas rregullave dhe standardeve më të larta demokratike. Në të njëjtën kohë unë do t’i drejtoj një kërkesë partnerëve tanë ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor. Po ashtu, duhet të bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme së bashku me institucionet tona të sigurisë që procesi zgjedhor të shkojë pa tensione”, tha ajo.
Në këtë takim janë diskutuar edhe shqetësimet e partive politike për organizimin e zgjedhjeve, pjesëmarrëse në takim, por Osmani premtoi se do të jenë në koordinim më institucionet e sigurisë për organizimin e zgjedhjeve, të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, përfshirë të drejtën në votë.
“Natyrisht që janë diskutuar edhe shqetësimet e të tjera, të cilat ekzistojnë. Si presidente e vendit do të bëj çmos që në koordinim me institucionet e sigurisë të ndërmerren të gjithë hapat, në mënyrë që siguria e qytetarëve tanë të jetë primare dhe të mbrohen të drejtat e tyre të cilat janë të garantuara me Kushtetutë, përfshirë të drejtën në votë”, tha ajo.
Në takim me presidenten kanë marrë pjesë përfaqësues nga Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nga PDK-ja, Betim Gjoshi, nga LDK, Imri Ahmeti, dhe nga partitë tjera minoritare, Aleksandër Jabllanoviq nga Partia Serbe e Kosovës, Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive, Emilia Rexhepi nga NDS, Elbert Krasniqi dhe Faton Peci nga Lista Guxo.
Zyrtarët e Listës Serbe u larguan nga institucionet e Kosovës nga data 5 nëntor, me arsyetimin se Qeveria nuk po e pezullon vendimin për targat.