Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pas mirëpritjes nga Presidenti Erdogan dhe Ministri Çavusoglu, ka diskutuar në panelin e liderëve, ku së bashku me Presidentin e Sierra Leones, Julius Maada Bio dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, folën për rëndësinë e bashkëpunimit global dhe rajonal për paqen dhe prosperitetin në interes të qytetarëve.
Në vazhdën e takimeve, Presidentja Osmani ka takuar edhe presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, anëtarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Sefik Dzaferoviq dhe kryeministrin e nominuar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilët diskutoi për zhvillimet në rajonin tonë, rëndësinë e përshpejtimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal për tejkalimin e sfidave dhe barierave me të cilat përballemi.
Në Forumin Diplomatik të Antalisë, presidentja Osmani pati rastin të shkëmbejë vlerësime rreth zhvillimeve të fundit edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe me liderë të tjerë botëror, ndërkaq në mbrëmje mori pjesë në darkën e organizuar nga Presidenti Erdogan për liderët nga afro 80 shtete të botës.
Presidentja Osmani poashtu ka takuar Presidentin e Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embalo, Kryeministrin e Libisë, Abdul Hamid Dbeibeh, Ministren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Singaporit, si dhe përfaqësues të disa shteteve jonjohëse. Në takime të ndara, Presidentja poashtu bisedoi me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, znj.Helga Schmidt, Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Turkfolëse si dhe me deputetin e Parlamentit Evropian, Ilhan Kyuchyuk.
Në të gjitha këto takime Presidentja ka potencuar qëndrimin e Republikës së Kosovës në raport me zhvillimet rajonale dhe globale, si dhe ka shtyrë përpara tema të interesit të përbashkët me këto shtete dhe organizata.