UBT News

​Osmani: Synojmë hartimin e politikave shtetërore që rregullojnë problemet e komuniteteve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është zotuar për të hartuar politika shtetërore përmes së cilës rregullohen problemet që po përballen komunitetet jo-shumicë. Ajo ka theksuar se në Kosovë, punësimi, edukimi dhe zhvillimi socio-ekonomik janë disa nga sfidat e përditshme. Kështu ka deklaruar, e para e shtetit në mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Komunitete.

Osmani u zotua se do të ofrojë mbështetje për të gjitha grupet e margjinalizuara, në veçanti për gratë.

Sipas saj, ky mekanizëm u ofron mundësi komuniteteve që të përfshihen në nisma legjislative dhe të shtyjnë përpara rekomandimet e institucioneve.

“Gjithmonë do të më keni aleate dhe përpjekjet tona do të jenë të përbashkëta në këtë drejtim. Punësimi, edukimi dhe zhvillimi socio-ekonomik janë disa nga sfidat e përditshme të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie. Si presidente e vendit së bashku me institucionet tjera do të punojmë që këto probleme të eliminohen në veçanti për grupet që ndihen më të margjinalizuara dhe që ballafaqohen me këto probleme në masë shumë më të madhe. Siç e dimë pikërisht pandemia i ka vënë në pah shumë më shumë se sa në vitet paraprake”, ka theksuar ajo.

Ajo ka pohuar se edhe gjatë këtij viti ka pasur raste të diskriminimit të komuniteteve, romë, ashkalinj e egjiptianë.

“Ndër prioritet kryesore të agjendës sime është edhe fuqizimi i gruas. Duke filluar nga fuqizimi i saj ekonomik e deri tek ballafaqimi me problemet e përditshme, siç janë dhuna në familje, problemet me mungesën e punësimit dhe probleme të tjera. Prandaj, do të përkushtohemi fuqishëm që gratë jo vetëm të ndihen të barabarta por edhe të fitojnë e gëzojnë vendin e tyre meritor në shoqëri përfshirë gratë që i takojnë komunitetit jo-shumicë. Pra, kjo do të realizohet pa dallim përkatësie, sepse pandemia në veçanti i ka goditur gratë e komuniteteve jo-shumicë”, theksoi ajo.

Ajo shtoi se komunitetet e caktuara përballen me probleme specifike, për këtë ajo u zotua se do të hartojnë politika shtetërore për të rregulluar problemet me të cilat merret komunitetet jo-shumicë.

“Si institucione të vendit synojmë që përveç garantimit të të drejtave të përgjithshme të lirive, të drejtave specifike që parashihen edhe me ligje, të ndërtojmë edhe politika shtetërore përmes së cilës rregullohen problemet specifike me të cilat përballen komunitetet. Diversiteti është një ndër vlerat kryesore të republikës sonë. Si e tillë kjo vlerë do të kultivohet edhe më tej dhe përkrahja institucionale nuk do të mungojë”, ka deklaruar Osmani.

Mediat janë lejuar vetëm në fillim të kësaj mbledhje, derisa ka folur presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Kujtojmë se Këshilli Konsultativ për Komunitete, vepron në kuadër të Zyrës së Presidentit të Kosovës. 

Exit mobile version