UBT News

​Osmani: Sa më shumë investim në fëmijëri të hershme, kthehet në vitet e rritjes

Një fëmijë i lindur në Kosovë, sot mund të presë të arrijë 57 përqind të kapitalit të vet të mundshëm njerëzor. Edhe shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve është rritur për 1 mijë lindje. Kështu u tha në organizimin e parë të nivelit të lartë mbi zhvillimin në fëmijëri të hershme.

Presidentja Vjosa Osmani tha se investimi në kapital njerëzor po merr formë.

“Investimi në fëmijërinë e hershme është koha kur mund të përcaktojmë kufirin mes varfërisë dhe mirëqenies. Për vjet të tëra ka qenë kjo moshë ku investimi ka ngelur prapa. Në vendin ku shërbimet për zhvillim të hershëm janë jo mirë të integruara”, tha ajo.

Ajo u zotua se fokus kanë investimin në zhvillim të fëmijërisë së hershme.

“Janë pikërisht vitet e para të fëmijëve ku truri i tyre zhvillohet. Sa më shumë investim aq më i madh dhe i dobishëm do të jetë kthimi i tyre në investim në vitet e rritjes. Kemi nevojë për veprim, qoftë në ngritjen e vetëdijes, krijimin e mekanizmave të duhur, e deri te fuqizimi i prindërve”, ka shtuar Osmani.

Kryeministri Albin Kurti tha se edukimi i fëmijëve është e drejtë kushtetuese.

“Përfituesit primarë janë fëmijët dhe prindërit, por investimi ndikon edhe në shoqëri. Investimi në këtë nivel ndikon pozitivisht për përgatitjen për shkollë. Në Kosovë, ne përballemi me mungesë të zhvillimit të edukimit të hershëm të fëmijëve. Prioritet mbetet rritja e qasjes së fëmijëve në shëndetësi pa dallim. Duke përmirësuar infrastrukturën ligjore, ne kemi punuar draftligjin për fëmijëri të hershme”, ka deklaruar ai.

Exit mobile version