Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Bullgari, me ftesë të presidentit Rumen Radev.
Krerët e të dy shteteve kanë diskutuar për çështjet e agjendës dypalëshe dhe rajonale, perspektivën evropiane të Kosovës dhe mënyrat për të nxitur bashkëpunimin në ekonomi, investime, energji dhe transport.
Osmani ka thënë se Kosova aspiron të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Derisa, presidenti bullgar premtoi mbështetje të fuqishme për Kosovën për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Jemi të gatshëm ta thellojmë këtë bashkëpunim mes popujve dhe vendeve tona. Kosova po kalon nëpër reforma të thella ekonomike dhe për të drejtat e njeriut. Kemi më shumë se 100 investitorë bullgarë në Kosovë dhe vendi ynë ka potencial shumë të madh për investime. Dhe Bullgaria mund të investojë shumë. Me presidentin Radev po ashtu kemi biseduar edhe për shtyrjen e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kjo për Këshillin e Evropës, është për çështjen e të drejtave njerëzore se kosovarët si popull pro evropian kanë të drejtë kudo që të anëtarësohen. Po ashtu e njoftova presidentin bullgar për kërkesën tonë që do ta bëjmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. BE është një vend ku ne dëshirojmë të jemi, dhe ne e meritojmë atë. Ne nuk do të dorëzohemi kurrë në rrugëtimin tonë drejt këtyre anëtarësimeve… Kosova aspiron të jetë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit evropian dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare dhe ne duam që të jemi në NATO për të qenë të sigurt”, theksoi Osmani.
Në pyetjen nga mediat se cila është përgjigjja e Kosovës pas kërcënimit të Serbisë që nuk dëshiron të vazhdojë më me dialogun për shkak të asociacionit, Osmani tha se BE-ja duhet të dërgojë mesazh të qartë te Serbia, se nuk mund dhe nuk guxon ta bllokojë dialogun.
“Është koha që lehtësuesit e dialogut, në këtë rast, Bashkimi Evropian, ta kuptojë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit nëpërmes pjesëmarrjes. Ata në tryezën e takimeve, vijnë për të krijuar kushtëzime, pengesa nëpërmes të cilës mund ta zgjasin procesin e dialogut përjetësisht. Sepse kjo është mënyra të cilën e dëshirojnë ta bllokojnë perspektivën e Kosovës në rajon dhe në arenën ndërkombëtare. Natyrisht që është në interesin tonë që ta përmbyllim këtë dialog me një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme. Dhe duhet ta kuptojmë se pala e cila është në anën tjetër të tavolinës, nuk është e interesuar që në mënyrë të suksesshme ta përmbyllë këtë proces. Pra, nuk interes që ta arrijnë një marrëveshje dhe krijon krizë pas krize vetëm që ta vazhdojë dhe prolongojë këtë. Kur në gusht BE dorëzoi një kornizë dhe në shtator kishim një propozim franko-gjerman, Serbia ka krijuar krizë dhe ka provokuar tensione në mënyrë që të mos të bëhet fjalë për marrëveshjen e përhershme. Interesi i Kosovës është që të sigurohemi që diskutimet të fillojnë sa më parë që është e mundur. Shpresoj se Bashkimi Evropian do të jetë i qartë në mesazhet të cilët do t’ia dërgojë Serbisë, se nuk mund dhe nuk guxojnë të bllokojnë dialogun”, tha Osmani.
Ndërsa, presidenti bullgar Radev tha se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të zbatueshme. Teksa ka thënë se Bullgaria do të vazhdojë të mbrojë perspektivën e integrimit evropian dhe të mbrojë aspektet e sigurisë dhe se do të mbështesë Kosovën edhe në Këshillin Evropian.
Po ashtu, Radev ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë me shtetet që ende politikisht nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Bullgaria e mbështet plotësisht perspektiven e Kosovës në BE. Bullgaria ka qenë gjithmonë njëra nga mbështetësit më të mëdhenj të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe motori shtytës i Ballkanit perëndimor në këtë rrugëtim, e cila ka nis në Kosovë më 2008, kur Bullgaria ka qenë një nga shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Sot vazhdojmë që të mbrojë perspektivën e integrimit evropian dhe të mbrojë aspektet e sigurisë, si dhe të mbështesë Kosovën edhe në Këshillin Evropian. Në vazhdojmë me punuar me aleatët tanë të cilët nuk e kanë njohur akoma politikisht pavarësinë e Kosovës. Po ashtu Bullgaria vazhdojnë të mbështes Kosovën teknikisht për anëtarësimin e Kosovës në Unionin Evropian. Ndërsa, duke folur për dialog, mos Prishtinës dhe Beogradit, është me rëndësi që siguria dhe stabiliteti dhe paqja në Kosovë dhe në mbarë rajonin të ruhen. Po ashtu që të dyja shtetet të gjejnë një kompromis për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e zbatueshme, e cila do të siguronte një stabilitet”, theksoi ai.
Në një konferencë për media, ai po ashtu ka theksuar se ushtria bullgare do të mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.
“Jemi të kënaqur që kemi pasur mundësinë të ruajmë paqen në Kosovë dhe të kontribuojmë me forcat tona. Dhe 22 vjet më vonë mund të themi se këto qëllime janë implementuar me sukses dhe mund të konfirmojë se ushtria bullgare do të mbetet e vendosur për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Ushtria bullgare do të vazhdojë të bashkëpunojë me Republikën e Kosovës dhe do të mbetet si mburojë për çfarë do kërcënimi dhe influencave të huaja të sigurisë”, theksoi Radev.
Osmani edhe sot është shprehur kundër iniciativës për Ballkanin e hapur. Sipas saj, kjo iniciativë është e papranueshme.
Presidentja Osmani me këtë rast ka prezantuar medaljen presidenciale forcave të armatosura të Bullgarisë për atë që kanë bërë në Kosovë që nga viti 1999.
“Si presidente Kosovës, kam nderin që të prezantojë medaljen presidenciale forcave të armatosura të Bullgarisë për atë që kanë bërë në vendin tonë që nga viti 1999. Ushtarët bullgarë që vazhdojnë të ndihmojnë në NATO dhe në KFOR, ushtarët kosovarë do të jenë të alokuar krah për krah me ushtarët bullgarë në aleancën më të fortë në botë, në NATO, si dhe të kontribuojnë për siguri çdo kund. Ne ju kemi falënderuar për atë që na keni sjellë lirinë në vitin 1999 dhe do të jemi të gatshëm që të kthejmë borxhin tonë”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani është pritur me ceremoni të lartë shtetërore nga homologu i saj bullgar, Radev.