Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova është e hapur për të mirëpritur qytetarët nga Afganistani sepse askush më mirë sesa Kosova nuk e njeh dhimbjen e tyre.
Këto deklarata Osmani i dha gjatë takimit me një delegacion të përbërë nga Ulrika Richardson, Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për zhvillim, Erol Arduc nga UNHCR-ja dhe Anna Rostocka nga IOM, me të cilët u diskutua për përgatitjet e Kosovës për sistemimin e qytetarëve nga Afganistani në kuadër të Programit të Posaçëm të Vizave për Migrim të ShBA-ve.
Përfaqësuesit e të tri organizatave kanë falënderuar presidenten Osmani për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për strehimin e qytetarëve nga Afganistani dhe në të njëjtën kohë kanë ofruar mbështetje ndaj institucioneve të Kosovës për t’u dalë në ndihmë të strehuarve./UBTNews