Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të përmbyllet sa më parë.
Pas takimit me Michel, Osmani tha se ka ardhur koha që marrëdhëniet Kosovë-BE të ngriten në një nivel më të lartë.
“Ka ardhur koha që të ngrisim marrëdhëniet tona (Kosovë-BE) në nivel më të lartë. BE-ja të bëjë të qartë perspektivën evropiane të rajonit e në veçanti të Kosovës. Duhet të ketë angazhim aktiv për liberalizimin e vizave, pasi deri tani ka ekzistuar një diskriminim i qartë për qytetarët e Kosovës. Kjo çështje duhet të përmbyllet sa me parë”, tha ajo.
Në konferencë të përbashkët për medie, Osmani theksoi sërish pretendimin për të aplikuar deri në fund të vitit për anëtarësim në BE.
Për dialogun me Serbinë, Osmani tha se duhet të bazohet në njohje reciproke.
“Dialogu me Serbinë, është proces jetik që i shpie dy vendet drejt BE-së. Mirëpo procesi i dialogut duhet të bazohet në njohje reciproke”, tha ajo.