Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka deklaruar se në samitin e Bashkimit Evropian ka dëgjuar shumë deklarata mbështetëse për liberalizimin e vizave për Kosovën. Por tani, Osmani ka thënë se duhen hapa konkretë duke theksuar se Kosova përveç deklaratave mbështetëse ka nevojë për një vendim për lëvizjen e lirë.
Pas takimit me liderët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Kosovës ka thënë se deklaratat politike që janë bërë sot duhet të kthehen në një aksion konkret në nivel të Këshillit të Ministrave.
“Kemi dëgjuar shumë deklarata mbështetëse ndaj Republikës së Kosovës sot. Së pari, është perspektiva e qartë e BE-së, së dyti për liberalizimin e vizave, dhe së treti, shumë mbështetje dhe lavdërime për përafrimin tonë 100% me Bashkimin Evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për sanksionet ndaj Rusisë. Por tani duhet të kalojmë nga fjalët në vepra. Ne kemi nevojë për veprime konkrete, përveç thjesht deklaratave mbështetëse, na duhet një vendim. Tani na duhet një vendim për liberalizimin e vizave. Natyrisht që takimi i liderëve të Këshillit të BE-së do të vazhdojë, dhe ne e kuptojmë që një votim nuk do të bëhet në këtë format. Megjithatë, besoj se deklaratat politike, që shumica dërrmuese i ka bërë sot, në mbështetje të Kosovës, tani duhet të kthehen në një aksion konkret, në nivel të Këshillit të Ministrave”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se edhe vendet që dikur hezitonin, sot kanë treguar mbështetje konkrete.
“Epo, më duhet të them se ky ka qenë grupi i vetëm më pozitiv i deklaratave që kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave, madje edhe vende që dikur hezitonin në të kaluarën, shumë prej tyre sot kanë treguar mbështetje, mbështetje konkrete, dhe ata kërkuan që të bëhet progres në këtë drejtim. Dhe nuk do të doja të veçoja një vend të vetëm evropian për mbështetjen e tyre. Sepse padyshim, ne llogarisim te të gjithë, dhe siç thashë sot gjatë takimit, ne llogarisim në lidershipin e tyre, sepse përderisa vakumi lejohet në Ballkanin Perëndimor padyshim, ai do të përdoret nga qëllimet malinje dhe dashakeqe të Rusisë”, ka thënë prresidentja Osmani.
Presidentja Vjosa Osmani ka folur edhe në takim me liderët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor ku ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën duke theksuar se qytetarëve po u bëhet padrejtësi e madhe.