Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar sot se burrat dhe gratë e FSK-së kanë nderuar edhe një herë uniformën gjatë misionit në Turqi. Ajo ka thënë se FSK po lëviz me shpejtësi drejt zhvillimit të aftësive të specializuara. Në përmbylljen e ushtrimit ndërkombëtar të kërkim-shpëtimit “Kosova Resolve 2023”, presidentja e vendit është shprehur se po shënohet një moment historik për Kosovën dhe komandën e gardës kombëtare. Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka theksuar se është i fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve luftarake për mbrojtjen e sovranitetit të vendit.
Në përmbylljen ditës së pestë të këtij ushtrimi, Osmani ka thënë se Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit të Kërkim-Shpëtimit po bën përparime të mëdha në nivel ndërkombëtar.
“Unë qëndroj para jush e impresionuar dhe me krenari absolute për punën e shkëlqyer që ka kryer ekipi ynë i kërkim-shpëtimit së bashku me kombet partnere, pra, kjo është një ditë e madhe me të vërtetë. Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit të Kërkimit dhe Shpëtimit të Kosovës vazhdon të bëjë përparime të mëdha brenda Kosovës në nivel ndërkombëtar, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Qendra Ndërkombëtare po lëvizin me shpejtësi drejt zhvillimit të aftësive të specializuara, ne jemi të bindur se do të kontribuojnë gjithnjë e më shumë në përpjekjet ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë ndërsa ne vazhdojmë të ecim në rrugën drejt anëtarësimit në NATO. Pra, sot shënojmë një tjetër moment historik për Kosovën”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani ka potencuar se ky ushtrim ndërkombëtar është realizuar në bashkëpunim me Asociacionin Evropian të ekipeve vullnetare të mbrojtjes civile “Evolsar”.
Më tej, komandantja supreme e FSK-së ka shtuar se kjo ngjarje ka mbledhur ekipe kombëtare dhe ndërkombëtare nga shumë vende të botës.
“Kjo ngjarje mblodhi së bashku 60 personel nga ekipet kombëtare dhe ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit nga Hungaria, Italia, Malta, Irlanda e Veriut, Portugalia, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët gjatë gjithë trajnimit të këtij ushtrimi demonstruan ekspertizë profesionale në aftësitë dhe shkathtësitë kritike të kërkim-shpëtimit, ndërsa ndajmë njohuritë dhe praktikat më të mira për të siguruar ndërveprimin aktual dhe të ardhshëm të ekipit të kërkimit dhe shpëtimit në vend dhe kudo në mbarë globin, mund të kërkohet nga ne që të përgjigjemi. Siç treguan ngjarjet tragjike të fundit në Turqi… roli i kërkim-shpëtimit është i paçmueshëm dhe figurativisht dhe jetëshpëtues”, ka thënë ajo.
Derisa ka folur për kontributin e ushtarëve të FSK-së në misionin e kërkim-shpëtimit në Turqi, Osmani është shprehur se të njëjtit kanë nderuar uniformën dhe kombin që i shërbejnë.
“Shumë nga anëtarët e ekipit të kërkim-shpëtimit këtu sot dhe ata të Forcave të Sigurisë së Kosovës që ishin në Turqi për atë qëllim dhe mision, na kanë bërë të gjithëve krenarë për përpjekjet e tyre. Lutjet tona mbeten me të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit në Turqi. Gjeneral brigade Haziri, nën udhëheqjen tuaj dhe me zinxhirin tuaj komandues, burrat dhe gratë e Forcës sonë të Sigurisë kanë nderuar edhe një herë uniformën që mbajnë dhe kombin, të cilit i shërbejnë. Për burrat dhe gratë e “EVOLSAR” dhe vendeve të ndryshme që dërgojnë ekipe këtu kemi besim se nëse na kërkohet të takohemi përsëri në terren, secili prej jush do të gjejë të zhdukurit dhe do të shpëtojë të mbijetuarit së bashku me ne si një ekip i vërtetë Ndërkombëtar i Kërkim-Shpëtimit. Shpresojmë që nuk do të ndodhë, por nëse ndodhë, ne mundemi dhe do ta bëjmë”, ka theksuar ajo.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është shprehur se FSK përmes kësaj stërvitjeje ka dëshmuar përvojën dhe njohuritë e marra nga partnerët.
Sipas tij, ky ushtrim ndërkombëtar ka rol të rëndësishëm për Gardën Kombëtare dhe gjithë vendin.
“Forcat e Sigurisë së Kosovës, përmes kësaj stërvitjeje dhe shumë aktiviteteve të tjera që po i zhvillojmë çdo ditë e më shumë me partnerët tanë, dëshmuan se janë një forcë jo vetëm me përvojë dhe njohuri të marra ndër vite nga partnerët tanë, po jep rezultate duke treguar kontributin, mënyrën më të mirë të përfitimit të qytetarit apo vendit dhe funksionit për rritjen e ndërveprimit me partnerët tanë. Kosova po bëhet eksportues i paqes dhe sigurisë, eksportues i mbështetjes humanitare, duke dhënë kontribut aktiv në përpjekjet ndërkombëtare për mjedisin e sigurisë edhe në nivel global. Kjo u dëshmua gjatë operacionit të fundit të kërkim-shpëtimit që njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës po bënin pas pasojave të tërmetit në Turqi, ne ishim ndër vendet e para që u përgjigjëm”, ka deklaruar Mehaj.
Ministri Mehaj ka theksuar se është i fokusuar në mbështetjen e FSK-së por edhe në ndërtimin e kapaciteteve luftarake, për mbrojtjen e sovranitetit.
“Si ministër i mbrojtjes, jam plotësisht i fokusuar në mbështetjen e vazhdueshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës në mbajtjen dhe mbështetjen ndaj autoriteteve civile, por edhe në ndërtimin e kapaciteteve luftarake, për të mbrojtur sovranitetin tonë dhe mbrojtjen territoriale të vendit tonë. Këto dy fusha fokusi janë edhe një nga objektivat kryesore”, ka përfunduar ai.