Presidentja Vjosa Osmani ka thënë sot se Kosova gjatë vitit të kaluar ka bërë progres të jashtëzakonshëm në avancimin e demokracisë, dhe se me këtë vendit do t’i hapet rruga drejt një të ardhmeje më të ndritshme brenda institucioneve euroatlantike.
Ajo theksoi se Kosova në vitin 2022 është renditur si demokracia e tretë më e përmirësuar në botë, dhe në vetëm dy vite është ngritur për 20 vende më lart në indeksin antikorrupsion të Transparency International.
“Për Republikën e Kosovës, ishte dëshira jonë e fortë për demokraci që siguroi rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Dhe duke e forcuar atë sot, demokracia do të na hapë rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme brenda institucioneve euroatlantike… Gjatë vitit të kaluar, kemi bërë progres të jashtëzakonshëm në avancimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Jemi duke e zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit, krahas reformave të pakompromis dhe me ritme rekorde për ta garantuar një qeverisje llogaridhënëse, të barabartë dhe efektive në të gjitha institucionet publike”, ka thënë presidentja Osmani.
Derisa ka përmendur arritjet e vendit, presidentja Osmani ka thënë se që nga takimi i fundit i Samitit të Demokracisë, Kosova ka punuar pa u ndalur për ta avancuar diversitetin dhe gjithëpërfshirjen si themel për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç tha ajo, duke krijuar edhe Këshillin Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut. Një e arritur tjetër e madhe, ajo tha të jetë edhe miratimi i një strategjie të guximshme kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore dhe për ndërmarrjen e hapave domethënës për të garantuar vendin e merituar të grave në institucionet publike dhe role vendimmarrëse.
Në Samitin e Dytë për Demokraci, të organizuar sot virtualisht nga Shtëpia e Bardhë, Osmani ka shprehur edhe mbështetjen e Kosovës për Ukrainën, derisa ka kujtuar sanksionet që vendi jonë i ka vendosur Rusisë.
“Kosova e di shumë mirë se si ndihet një popull i pafajshëm i cili në lëkurën e vet përjeton një lufte brutale dhe gjenocidale, dhe pikërisht sepse e dimë këtë, pa asnjë mëdyshje vendosëm menjëherë sanksione kundër Rusisë dhe e kemi mbështetur pa ndalur popullin e Ukrainës. Vuajtja e pamasë e popullit ukrainas shërben si një kujtesë e fuqishme se asnjë çmim nuk është aq i lartë për të paguar për liri dhe demokraci – dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë me aleatët tanë për t`i mbrojtur këto vlera kudo në botë… Vetëm përmes bashkimit të forcave mund ta ndërtojmë një të ardhme ku demokracia është një realitet për të gjithë”, ka thënë Osmani.