Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para deputetëve ka deklaruar se anëtarësimi në BE është objektiv strategjik, prandaj aplikimi që do të ndodhë sot, na sjell një hap më afër këtij synimi historik të popullit të Kosovës.
Osmani duke raportuar në Kuvendin e Kosovës, përmendi pandeminë COVID-19 dhe luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
“Sapo besuam se po këndelleshim ne u përballëm me një tjetër portë të dhimbjes njerëzore, luftën e tmerrshme të Rusisë kundër Ukrainës dhe si rrjedhojë edhe krizën globale ekonomike dhe energjetike. Kjo luftë dëshmon dhe një herë se akomidimi i autokratëve dhe i atyre që kanë tendenca hegjemoniste asnjëherë nuk është rruga e duhur sepse kjo vetëm i inkurajon ata që të ushtrojnë më shumë dhunë e shkatërrim, më shumë tirani e hegjemoni. Ukraina po e dëshmon sot, ashtu siç e dëshmoi Kosova në vitin 1999 se askush e asgjë nuk mund ta ndalë vullnetin e një populli për të jetuar i lirë. Idealet e lirisë e demokracisë ishin në rrezik atëherë, e janë në rrezik edhe sot. Por Kosova është shembulli më i mirë se çfarë mund të arrijë një popull i bashkuar rreth idealit të lirisë dhe çfarë mund të arrijë bota demokratike kur të bashkohet rreth mbrojtjes së këtyre idealeve. Prandaj populli dhe shteti i Kosovës i ka qëndruar pranë Ukrainës pa asnjë ekuivokë, ndërkaq kemi miratuar ndaj Rusisë pa asnjë hezitim të vetëm sepse të hezitosh në situata të tilla do të thotë të bëhesh bashkëfajtor në krimet ndaj civilëve të pafajshëm. Nuk mund të ketë neutralitet mes të mirës dhe së keqes, mes agresorit dhe viktimës”, ka deklaruar ajo.
Në ambientet e presidencës dje u mbajt ceremonia zyrtare e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim në BE.