Ministria e Financave ka njoftuar se i është revokuar licenca shtëpisë së të moshuarve “Orenda” në Pejë pas publikimit të pamjeve të dhunës ndaj një moshuare që ishte banore e kësaj shtëpie.
Ministria njoftoi se Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.
Me përmbylljen e raportit të inspektimit i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale.
Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor, e hënë, obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale.
Gjatë ditë së sotme në Gjakovë është mbajtur një protestë ku është kërkuar edhe mbyllja e kësaj shtëpie për të moshuarit pas pamjeve të dhunës.