Grupet Parlamentare opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se nuk do të qëndrojnë në seancën e sotme plenare. Pas dështimit të mocionit për raportimin e ministres Artane Rizvanolli në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, ai tha se opozitës po i mohohet e drejta për një debat parlamentar. Ai theksoi se pas deklarimeve jashtë të rendit të ditës, deputetët e PDK-së nuk do të qëndrojnë në sallë për vijimin e pikave tjera të rendit të ditës. Tahiri ka konsideruar se është e dëmshme që të votohet kundër debatit me ministren Rizvanolli.
“Si Grup Parlamentar pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë seancë, sepse është e pakuptimtë që të vazhdojmë debatin në çështje të tjera, përderisa neve si opozitë na mohohet një e drejtë fundamentale për një debat parlamentar për arrestimet e djeshme”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, partia në pushtet po e mbron kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ky i fundit është arrestuar gjatë ditës së djeshme.
“Ne kemi parë një tendencë të vazhdueshme të qeverisë për ta mbrojtur një person jashtëzakonisht të fuqishëm. Edhe në kuadër të komisionit dhe intervistimit që kemi pas me Krasniqi, ne kemi pa fuqinë e tij politike dhe atij nuk i bënte përshtypje fare as ZRRE-ja, as ministrja e energjisë, as debatet parlamentare të cilat ne i ngrisnim, sepse kishte një lidhje direkte me kryeministrin Kurti dhe ndjente një siguri të fuqishme, pikërisht në abuzimet të cilat i bënte në vazhdimësi. Kur ne i thoshim se si vepron një kryeshef i KEK-ut në kundërshtim me ZRRE-në, ai thoshte kështu jam unë, këto janë rregulla që përcaktoj unë, sepse drejtoj KEK-un. I njëjti sot është në paraburgim dhe ju sot na mohoni një debat parlamentar me ministren e cila e mbikëqyr punën pikërisht të personit në fjalë”, ka shtuar Tahiri.
Tahiri ka përsëritur se ditëve në vijim do të procedojnë denoncimet për kryeshefin Nagip Krasniqi.
“Ne në kuadër të komisionit tonë hetimor parlamentar që kemi punuar për gjashtë muaj, kemi nxjerrë në pah një mori të keqpërdorimeve dhe abuzimeve, pikërisht të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Pra, i njëjti ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike pa vendim të bordit që nuk mund të ndodhë, pra drejt një kompanie private siç është KESCO dhe KEDS-i, i njëjti ka negociuar tendera një burimor. Si drejtues i kompanisë energjetike më të madhe në vend të prodhimit të energjisë elektrike, pra i njëjti ka ushtruar ndikim mbi personat zyrtar, ka pas konflikt interesi, dhe të gjitha këto janë raportuar në kuadër të komisionit hetimor parlamentar të cilin në e kemi diskutuar”, ka shtuar ai.
Shefi i deputetëve të PDK-së shtoi se kupola e këtij keqmenaxhimi është ambasadori Martin Berishaj.